Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë ligjin e gjuhëve dhe ndryshimin e emrit

Gjykata Kushtetuese në disa seanca përgatitore do të shqyrtojë argumentet e ankimuesve për kushtetutshmërinë e ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe dekretit për ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Iniciativat janë nga disa subjekte, VMRO-DPMNE-ja, “E Majta”, Kongresi Maqedonas Botëror, profesorja Sollza Gërçeva si dhe individë të tjerë.

Marketing
Pyetja është shumë e thjeshtë, a guxon ose jo kryetari i Kuvendit të publikojë ligj pa nënshkrimin e Presidentit. Sipas argumenteve juridike, nuk mundet të publikohet dekret ligji pa nënshkrim nga Presidenti. Në këto raste, iniciohet nismë për impiçment (ndaj Presidentit), që në këtë rast nuk është bërë. Kjo është precedenca e parë që nga koha e Jugosllavisë deri sot, të publikohet ligj me fusnotë- deklaroi Dimitar Apasiev, “E Majta”.

Kongresi Maqedonas Botëror konteston mënyrën e miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Zbatimi, thotë Jove Kekenovski, ka sjell pasoja të tmerrshme.

Pasojat negative janë të tmerrshme sa i takon zbatimit të ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ne i ndjejmë si në aspektin material, personal ashtu edhe nga aspekti financiar. Do të jetë e tmerrshme- pohoi Jove Kekenovski.

Gjykata Kushtetuese thotë se ka shtyrë shqyrtimin e këtyre nismave, për shkak se ka pasur nisma më me prioritet.

Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme dhe situatës shëndetësore në të cilën kemi punuar u kemi dhënë përparësi gjatë vitit të kaluar vendimeve për dekretet me fuqi ligjore të Qeverisë, t’u kujtoj se u kontestuan të gjitha dekretet me fuqi ligjore, rreth 150 lëndë kemi formuar gjatë vitit të kaluar, vendimet e Presidentit për gjendjen e jashtëzakonshme, vendimet për shpërndarjen e Kuvendit, etj- tha Sali Murat, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Të dy ligjet, edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve edhe ligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, u miratuan për herë të dytë me 2/3 e votave. Qeveria në atë kohë mbështeti publikimin e të dy ligjeve në Gazetë Zyrtare vetëm me nënshkrimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, meqë Presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov kishte refuzuar të firmosë dekretet.

Marketing