Gjykata Kushtetuese ka marrë një iniciativë nga Shoqata e Gjykatësve. Kërkohet që gjykatësit kushtetues të vlerësojnë, nëse vendimi i Qeverisë për t’u paguar atyre vetëm një pagë minimale, është ose jo kushtetues. Por, nga Gjykata Kushtetuese për Alsat thanë se ata tashmë kanë një lëndë për pagat e zvogëluara të funksionarëve të caktuar, ku përfshihen edhe gjykatësit. Bëhej fjalë për iniciativë të ngritur nga një person fizik. Këshilli Gjyqësor nuk do të ndërmarrë asgjë ndaj reagimeve të gjykatësve për uljen e pagës.
Këshilli Gjyqësor nuk mund të reagojë. Duke pasur parasysh gjendjen e vendit, nga një këndvështrim ekonomik, ku punëtorët janë larguar nga puna, ne nuk mund të reagojmë dhe të themi se qeveria nuk mund të marrë një vendim të tillë. Ne nuk mund të ndërhyjmë as në vendimin e gjykatësve individualë, për të ngritur një iniciativë në Gjykatën Kushtetuese”-tha Kiro Zdravev, Kryetar i Këshillit Gjyqësor.
Kryetari i Shoqatës së Gjyqtarëve, Xhemail Saiti, nuk ishte në dispozicion për komente në lidhje me nismën e gjykatësve në kushtetuese. Vendimi për të kundërshtuar këtë dekret qeveritar erdhi nga një degë e Shoqatës së Gjykatësve – Gjykata Civile në Shkup. Nisma u aprovua nga degët e tjera të shoqatës, dhe Bordi Drejtues e pranoi atë njëzëri. Shoqata e Gjykatësve beson se Qeveria ka ndërhyrë në punën e gjyqësorit.
Përndryshe, pagat e gjykatësve janë nga 55 deri në 85 mijë denarë. Më datën 11 të këtij muaji, qeveria miratoi një urdhëresë me fuqi të ligjit dhe uli pagën minimale në 14 500 denarë për më shumë se 2,000 funksionarë. Sipas përllogaritjeve, kursimet për shtetin mbi këtë bazë janë rreth dy milion euro në muaj. Ulja është vetëm për muajt prill dhe maj.