Goditi futbollistin e Partizanit, identifikohet e shpallet në kërkim tifozi

Është identifikuar nga policia autori që goditi me shishe me ujë të ngrirë futbollistin e Partizanit Tedi Cara.

Sipas policisë, autori është një 47-vjeçar me inicialet A.E, banues në Kukës. 47-vjeçari është shpallur në kërkim pasi akuzohet për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”

Marketing

Futbollisti Tedi Cara po festonte golin e tij që shënoi nga goditja e dënimit ndërsa u godit me një shishe uji nga një tifoz dhe si rrjedhojë u gjakos. Cara tha në një intervistë për mediat se si pasojë e goditjes ka marrë tre të çara në fytyrë dhe shtatë qepje gjithësej.

Njoftimi i policisë

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kukës referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim, për veprën penale “Goditja e sportistit, trajnerit, arbitrit dhe ndërmjetësit sportiv”, shtetasin A. E., 47 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë ndeshjes së futbollit “Kukësi-Partizani”, të zhvilluar më datë 19.09.2022, në stadiumin “Kukës Arena”,  ka hedhur një send të fortë (shishe me ujë të ngrirë) në fushë që ka goditur njërin nga futbollistët, shtetasin T. C. Vijon puna për kapjen e tij.