Grupi i shteteve kundër korrupsionit, GREKO, trup i Këshillit të Evropës, në raportin e publikuar mbrëmë porositi se lufta kundër korrupsionit në Maqedoni është shqetësuese.
GREKO vlerëson se nga nëntëmbëdhjetë rekomandime të formuluara, vendi i ka përmbushur gjashtë, përderisa pesë janë ende të pazbatuara, ndërsa tetë vetëm pjesërisht.
Këto janë pesë rekomandimet e pazbatuara në Maqedoni për të cilat GREKO konsideron se janë “shqetësuese”.
– Rekomandimi 2
Ky rekomandim i dedikohet parandalimit të përplasjes së interesave dhe pranimit të dhuratave dhe përfitimeve të tjera në suaza të Kuvendit. Edhe pse autoritetet në Maqedoni kanë konsideruar se rekomandimi është përpunuar përmes Kodit për sjellje etike të deputetëve, të rishikuar në vitin 2016 dhe miratuar më 11 qershor të vitit 2018, GREKO, edhe pse e përshëndet miratimin e këtij Kodi, thekson se është i pakënaqur.
Ashtu, për shembull, deklarata se “deputeti obligohet t’i respektojë rregullat që kanë të bëjnë me parandalimin e konfliktit mes interesit publik dhe privat” nuk është definicion i saktë. GREKO përkujton edhe se mbetet e paqartë se çfarë ndodh me “të dhënat protokollare” dhe se nuk është definuar se çka ndodh me to, nëse duhet të refuzohen, paraqiten ose dorëzohen deri te Kuvendi.
GREKO potencon edhe se listat për shkelje dhe shkelje serioze në Kod kanë të bëjnë vetëm me situatat të cilat përfshijnë votim, derisa shkeljet për dhurata nuk janë mbuluar qartë.
– Rekomandimi 3
Ky rekomandim i dedikohet marrëdhënieve të deputetëve me lobistët dhe personave të tjerë të cilët kanë për qëllim të ndikojnë mbi procesin ligjdhënës.
Në këtë pjesë sërish, në argumentimin para GREKO-s, autoritetet në Maqedoni i referohen ligjeve ekzistuese, raporteve dhe analizave të ekspertëve, të cilat edhe pse GREKO i përshëndet, sërish i konsideron për të pamjaftueshme ose irelevante.
Për GREKO-n, nuk ka zhvillim të ri dhe propozime konkrete në këtë sferë të cilët do të konfirmonin rregulla të qarta të sjelljes për deputetët kur ata kanë kontakte dhe takime me lobistë dhe persona të tretë. Kjo përfshin masa si kontroll të identitetit, kontrolle të kryqëzuara me regjistra ekzistues, kuptime çfarë interesash përfaqësojnë lobistët dhe masa të tjera të transparencës.
Grupi përkujton ky rekomandim u dedikohet edhe palëve të treta të cilët nuk janë domosdoshmërisht lobistë profesionistë, duke përfshirë edhe autoritete të huaja dhe shoqata të cilat përfaqësojnë interesa kombëtare ose afariste.
– Rekomandimi 4
Ky rekomandim i dedikohet parashikimit të sanksioneve dhe masave adekuate në të gjitha rastet e shkeljes së rregullave nga ana e deputetëve.
GREKO vlerëson se “të dhënat të cilat dorëzohen u dedikohen vetëm një sfere të caktuar të paraqitjes së pronës dhe nuk ekzistojnë të dhëna konsistente dhe bindëse për rezultatin përfundimtar të procedurës dhe për gjobat që zbatohen lidhur me sanksionet e parapara me rregullat”.
Më tej GREKO konsideron se masat për ekzekutim janë të dobëta dhe nuk janë shfrytëzuar mjaftueshëm, se disa sanksione të caktuara nuk janë mjaftueshëm bindëse ose janë jashtëzakonisht më të ulëta nga ajo që ligji e përcakton.
– Rekomandimi 5
Kjo pikë rekomandon heqjen e anëtarësimit të ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor.
Edhe pse pushteti thotë se në praktikë ministrat e Drejtësisë prej dy qeverive të fundit nuk kanë marrë pjesë në punën e Këshillit, dhe se me këtë në praktikë zbatohet rekomandimi për përjashtimin e Ministrisë, kjo nuk është e mjaftueshme për GREKO.
GREKO shpreh keqardhje që tashmë nuk ka mundësi për largimin e ministrit të Drejtësisë nga Këshilli Gjyqësor.
Për grupin, “rrezik nga ndikimi politik gjithmonë ekziston, pa të drejtë formale të votimit apo madje pa prezencë formale të ministrit në takime”.
– Rekomandimi 16
Kjo pikë ka të bëjë me revizionin e regjimit disiplinor për prokurorët, me qëllim të definimit të qartë të shkeljeve dhe zgjerimin e përmasave të sanksioneve, ndërsa posaçërisht të mundësohet shkarkim i prokurorëve vetëm në raste të shkeljeve më serioze.
Në këtë pjesë, GREKO vlerëson se mosimplementimi është falë asaj që reforma është në fazë të hershme.
Autoritetet kanë premtuar se miratimi i draft-versionit të ri pritet në tetor të vitit 2018. GREKO e përshëndet faktin që kjo reformë është bërë prioritet reformues.