Greqia shtyn ndalesën për hyrjen e qytetarëve të Maqedonisë

Maqedonia e Veriut nuk është në listën e vendeve për të cilat Greqia do ta lejojë hyrjen nga nesër, duke e pasur parasysh që Athina zyrtare e ndjek rekomandimin e BE-së dhe vendimin në nivel evropian për listën e vendeve të treta, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Marketing

“Greqia, duke e ndjekur rekomandimin evropian, e zgjeron mundësinë e hyrjes në vend edhe për qytetarët e përhershëm të vendeve të treta në vijim (lista do të azhurnohet në 15 ditë): Algjeria, Australia, Gjeorgjia, Japonia, Kanadaja, Maroku, Mali i Zi, Zelanda e Re, Koreja e Jugut, Ruanda, Serbia, Uruguaji, Tajlanda, Tunizia, Kina (do të shqyrtohet në mënyrë reciproke)”, kumtoi sot pasdite zëdhënësi i qeverisë greke, Stelios Pecas.

Sa i përket kufijve tokësorë, në vendkalimet kufitare me Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Turqinë, lejohen kalime vetëm për arsye thelbësore, gjegjësisht për anëtare të familjeve të shtetasve evropianë, punonjës në sektorin e shëndetësisë, persona që kujdesen për të moshuarit, punëtorët sezonalë në sektorin bujqësor, punëtorët e transportit, diplomatët, personeli ushtarak ndërkombëtar, punonjësit humanitarë në detyrë, udhëtarët transit, udhëtarët që udhëtojnë për arsye të nevojshme familjare, studentë.

Në kufirin me Bullgarinë, turistët do të mund të hyjnë në Greqi vetëm përmes vendkalimit kufitar Promahonas, siç ka qenë deri më tani.

Përveç kufijve tokësorë, lista e vendeve të treta vlen edhe për fluturimet ndërkombëtare në aeroportet në të gjithë Greqinë, gjegjësisht edhe për transportin ajror, ndalesa për shtetasit e Maqedonisë së Veriut vazhdon të vlejë.

Marketing