Gripi sezonal vazhdon të lë pa mësim një numër të madh të nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme. Nga vizita e ekipit tonë në disa Shkolla të Shkupit vërejtëm mungesë nxënësish në çdo klasë, nga e para e deri në të nëntën. Vetëm sot, në shkollën fillore “Koço Racin” të komunës Qendër kanë munguar mbi 80 nxënës. Ndërkohë, në përgjithësi në 8 shkollat fillore të kësaj komune, javën e kaluar kanë munguar 744 nga gjithsej 4553 nxënës. Nga Ministria e Arsimit thonë se përcjellin gjendjen me gripin sezonal por pa saktësuar nëse do të vendosin për ndërprerje të përkohshme të mësimit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se analizat e javës së kaluar kanë treguar se jo të gjithë nxënësit që mungojnë në shkollë janë të prekur nga gripi sezonal.
Në klinikën e fëmijëve në Shkup, sot vërehej numër i madh i prindërve që sillni fëmijët e tyre për kontroll. Madje, shumë prej tyre ishin nxënës.
“Në klasë kishte 15 nxënës që mungonin, thuajse dy javë. Te ne, vëllai ishte i sëmurë me grip, unë jo. Ishte shumë vështirë për nxënësit sepse kanë humbur shumë nga mësimi”.
“Për momentin mungojnë shumë në shkollë. Numër të madh të klasave janë të zbrazura. Prej 30 nxënësve, vetëm 10 janë në klasë. Vërtetë është për tu brengosur”.
Gripi sezonal nuk ka anashkaluar edhe me të vegjlit, posaçërisht foshnjat.
“Prej gripit, temperaturë ka pas. Sa kohë është në spital? Tashmë 10 ditë, edhe po sillen katastrofë. E kanë lëshuar, tash po hypi lartë me marrë. Çfarë moshe është? Ende pa i bë një vjet”.
Si pasojë e gripit sezonal, në Maqedoninë e Veriut kanë vdekur tre persona. Javën e fundit, Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar mbi 5,600 raste të reja me grip.