Grubi – Linhart: Maqedonia e Veriut meriton hapjen e negociatave me BE

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe
Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot realizoi takim me
ministrin federal për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare të Republikës
së Austrisë, Michael Linhart.

Marketing

Të dy bashkëbiseduesit konstatuan se marrëdhëniet dypalëshe janë të
shkëlqyeshme në të gjitha sferat dhe se në këtë frymë do të vazhdojnë
edhe në të ardhmen.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi e njoftoi ministrin austriak Linhart
për situatën politike në vend, reformat që po ndërmerr Qeveria në
rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Europian, reformat në sistemin
gjyqësor, administratë dhë në sfera tjera.

Grubi gjatë këtij takimi pohoi se vendit i nevojitet një Qeveri stabile,
pro europiane që do të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit, atë të Prespës,
marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe do të realizoj
projektet kapitale që do të ndikojnë në përmirësimin e standardit
jetësor.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi i tha z. Linhart se shpreson se
Maqedonia e Veriut do të arrijë marrëveshje me Bullgarinë dhe me 14
dhjetor në Samitin e Komisionit Europian do të marrë datë për fillimin e
negociatave.

Grubi gjithashtu falënderoi ministrin federal për Çështje Europiane dhe
Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Michael Linhart për mbështetjen
që në vazhdimësi Austria ia jep Republikës së Maqedonisë së Veriut për
integrimin e vendit dhe në zbatimin e reformave të brendshme.

Ndërkaq, ministri austriak Linhart konfirmoi mbështetjen e vendit të tij
për fillimin e negociatave të RMV-së me Bashkimin Europian duke
nënvizuar se integrimi i Ballkanit perëndimor në familjen europiane
është më se i nevojshëm sepse në fakt ky rajon i takon Europës.

z. Linhart theksoi se Austria do të vazhdojë të mbetet e angazhuar që sa
më parë Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet jo vetëm për faktin që
ky rajon do të paraqet pasuri ekonomike për BE-në por edhe nga fakti se
është pjesë e rëndësishme për një Europë edhe më të fuqishme.

Në fund të këtij takimi zëvendëskryeministri i parë z. Grubi dhe dhe
ministri austriak Linhart theksuan se Maqedonia e Veriut dhe Austria
kanë bashkëpunim të mirë edhe në sferën e ekonomisë, me ç’rast dhjetëra
kompani me kapital austriak veç më funksionojnë në Republikën e
Maqedonisë së Veriut që është indikacion i qartë për thellimin e këtij
bashkëpunimi.