Sot në qytetin e Kumanovës, zv/kryeministri i parë i Qeverisë, Artan Grubi ka deklaruar se vendi brenda dy muajve do të ketë kryeministrin e parë shqiptar.
Grubi nuk e tha emrin se cili do të jetë ai ose ajo, por e deklaroi edhe njëherë se në konsultim me kryetarin Ahmeti i ka thënë se ai nuk dëshiron të bëhet.
“Pesë përbetime kryesore i kishim në aspektin politik. E para ishte kryeministri shqiptar. Edhe këtë e shikoni dhe e patë që nga konferenca e parë e përbashkët e z.Ahmeti dhe ish-kryeministrin Zoran Zaev ku me gojën e vetë Zaev e tha që jemi marrë vesh që në 100 ditë e fundit të qeverisë unë të tërhiqem dhe të jep mundësi për një garë fer mes partive poltike dhe të më zëvendësoj propozimi që do të jep Ali Ahmeti dhe BDI duke realizuar premtimin për kryeministrin e parë shqiptar. Çështja e parë u ezaurua. Sot e dy muaj e keni kryeministrin e parë shqiptar, në janar”, tha Grubi para anëtarësisë së BDI-së në Kumanovë.