Grubi pret ambasadorin francez Timonie: Maqedonia e Veriut po ecë në drejtim të duhur

Maqedonia e Veriut ka shënuar përparim në shumë lëmi dhe ka arritur të
ecë përpara në planin ndërkombëtar sa i takon procesit të integrimit të
vendit në Bashkimin Evropian. Procesi i reformave do të vazhdojë pa
ndërprerë me qëllim që të jepet sinjal pozitiv tek partnerët tanë
evropian.
Kështu është shprehur zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për
Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive z.Artan Grubi gjatë
takimit të sotëm me ambasadorin e Francës në Republikën e Maqedonisë së
Veriut, z.Kristijan Timonie.
Zëvendëskryeministri i parë Grubi shprehu falënderim për përkrahjen që
merr Republika e Maqedonisë së Veriut nga Republika e Francës në
përpjekjet për realizimin e prioriteteve strategjike të vendit dhe
njëherësh edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dypalësh.
Grubi i ka thënë ambasadorit francez se Qeveria do të vazhdojë të
funksionojë me dinamikën më të lartë pasi që është e angazhuar që
progresi i vendit të vazhdojë në të gjitha fushat e mundshme. Ai
gjithashtu i ka thënë ambasadorit Timonie se përcaktim i Qeverisë së
Republikës së Maqedonisë së Veriut janë institucionet funksionale, të
cilat në mënyrë aktive dhe transparente do të punojnë në realizimin e
reformave që janë në interes të të gjithë qytetarëve dhe procesit të
integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Gjatë takimit mes zëvendëskryeministrit të parë Grubi dhe ambasadorit të
Francës Timonie u konkludua se prej një rëndësie të veçantë është
funksionimi i mirëfilltë i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit.
Grubi në këtë drejtim i konfirmoi qëndrimin e tij ambasadorit Timonie se
rruga e drejtësisë joselektive dhe sundimi i ligjit do të arrihet përmes
transparencës së plotë dhe vetingut që do të kryhet ndaj bartësve të
funksioneve publike, gjykatësve dhe prokurorëve.
Grubi dhe Timonie hapën temën edhe të regjistrimit të popullsisë, proces
të cilin e vlerësuan si senzitiv dhe me këtë rast u dakorduan se duhet
të plotësohen të gjitha kushtet që i njëjti të jetë sa më kredibil.
Në fund të takimit Grubi dhe Timonie shkëmbyen mendime edhe rreth
mundësive të thellimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe Francës.
Marketing