Grubi priti në takim Salome Zourabichvili, presidente e Gjorgjisë

Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministër për Sistem
politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, z. Artan Grubi sot ka
pritur në takim znj. Salome Zourabichvili, presidente e Gjeorgjisë e
cila po qëndron për vizitë zyrtare dy ditore në Republikën e Maqedonisë
së Veriut.

Marketing

Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet politike mes dy vendeve ishin një prej
pikave që u diskutuan në takimin mes Grubit dhe Zourabichvili, duke i
cilësuar kështu raportet në nivel të lartë, ndërsa vizita e presidentes
gjeorgjiane në Shkup do të thellojë edhe më shumë bashkëpunimin.

Integrimi në NATO dhe procesi i integrimit në Bashkimin Europian ishte
temë e diskutimit mes tyre, derisa Grubi ka theksuar se Republika e
Maqedonisë së Veriut është e gatshme të ofrojë ndihmë nga përvoja e saj
në rrugëtimin drejtë NATO-s si dhe të ndajë eksperiencë në pjesën e
reformave që kërkohet në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian,
rrugë kjo e cila është në vijim e sipër.

Si vend anëtarë në NATO, Grubi ka theksuar se tashmë marin pjesë në
misione paqëruajtëse nëpër botë kurse buxheti në fushën e mbrojtjes këtë
vit ka pasur rritje prej 1.57% nga BPV e që do të ketë rritje deri më 2%
deri në vitin 2024.

Situata politike në Gjeorgji, raportet me vendet fqinje përfshirë këtu
edhe Rusinë, konfliktet në Ukrainë dhe Nagorno Karabakh ishin pjesë e
bisedës që presidentja Zourabichvili bëri gjatë këtij takimi me
Zëvendëskryeministrin e parë Grubi, ndërsa Republika e Maqedonisë së
Veriut do të ofrojë bashkëpunim në procesin e reformave që do të bëhen
në Gjeorgji, përfshirë këtu në fushën e drejtësisë, gjyqësorit e
prokurorisë si dhe strukturat e sigurisë.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vende ishte një tjetër pikë e bisedës mes
Grubit dhe Zourabichvili, ndërsa u theksua se vetëm gjatë vitit të
kaluar dy vendet kanë pasur eksport prej 242.962 euro dhe import prej
102.803 euro, kurse për periudhën e ardhëshme u bisedua që bashkë dy
vendet të krijojnë një partneritet biznesi.

Në këtë takim është diskutuar edhe regjimi i vizave mes Republikës së
Maqedonisë së Veriut dhe Gjeorgjisë, derisa dy bashkëbiseduesit kanë
vlerësuar se heqja e këtij regjimi do të ketë ndikim pozitiv në lëvizjen
e lirë të qytetarëve, bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe
ekonomisë si dhe investime të ndryshme nga të dyja palët.

Grubi dhe Zourabichvili kanë diskutuar edhe mbi procedurat që janë në
vijim për emërimin e dy konsujve të nderit të Gjeorgjisë në Republikën e
Maqedonisë së Veriut edhe atë në Shkup dhe Shtip.