GRUBI solli vendim për pranim të diplomave të të gjithë administratorëve të punësuar me shkollë të mesme

Vazhdon kujdesi për administratorët edhe atë përmes ndryshimit të Ligjit për nëpunësit administrativ, me ç’rast u krijua mundësi për avancimin dhe pranimin e arsimit të lartë për të gjithë nëpunësit administrativ që janë pranuar në punë me arsim të mesëm dhe në ndërkohë kanë mbaruar arsimin e lartë. Kështu ka deklaruar zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, informon GAZETA.MK

Marketing

Sipas Grubit secili nëpunës administrativ i cili dy vite ka qenë në vendin e punës në të njëjtin nivel dhe duke marrë parasysh dhe notën e fundit mesatare kur ka qenë i notuar (vlerësuar) do të mund të kalojë prej pozitës më të ulët në pozitë më të lartë të vendit të punës.

“Me këtë ndryshim, përfundimisht të gjithë administratorëve shtetërorë të cilët në vendet e tyre të punës janë të paraqitur me arsim të mesëm, ndërsa të cilët deri në miratimin e Ligjit kanë kryer arsimin e lartë, do t’u njihet, përkatësisht do t’u vlerësohet arsimi i lartë” është shprehur Grubi.

Grubi gjithashtu thotë se avancimi i nëpunësve administrativ është dhe mbetet prioritet i tij. Ai me këtë rast u ka bërë apel të gjithë atyre administratorëve që në ndërkohë kanë kryer fakultete, të paraqiten tek punëdhënësit e tyre të cilët me ligj janë të detyruar që t’ua njohin diplomat, hap ky i cili do të jetë një ndihmë e madhe për ata dhe familjet e tyre në planin e të ardhurave mujore.

Numri i nëpunësve administrativ shqiptar nëpër institucionet shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndër vite është rritur nga 2 për qind në mbi 20 për qind, edhe atë përmes punësimit të rreth 25.000 administratorëve.