Grubi: Synojmë të shembim murin e fundit në Maqedoni

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut më 15 korrik do t’u drejtohen kutive të votimit. Ndërkohë, BDI ka propozuar se ka ardhur koha që vendi të ketë një kryeministër shqiptar.

Marketing

Deputeti i BDI, Artan Grubi në një intervistë për Abc News dha më shumë detaje për situatën politike në Maqedoninë e Veriut. Deputeti theksoi se gjasat janë që për herë të parë Maqedonia e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar.

Sipas tij, BDI erdhi me këtë propozim në këto zgjedhje për të shembur murin e fundit. Grubi thekson se një gjë e tillë mund të arrihet siç u arrit me kryetarin e Kuvendit në vitin 2016 dhe më herët me ministra.

“Kemi dalë me një premtim të guximshëm, që të shembin edhe murin e fundit. Për herë të parë një parti shqiptare në Maqedoni garon me një kandidat për kryeministër. Nuk ka pasur asnjëherë shqiptar kandidat.

Gjithmonë kryeministri ka qenë nga LSDM ose VMRO-DPMNE. Ne duam që këtë binom maqedonas ta rrënojmë, duke imponuar një kryetar të qeverisë shqiptar. Këtë e bëmë në vitin 2016 me kryetarin e Kuvendit. Një kryeministër shqiptar në Maqedoni arrihet ashtu siç ndodhi me kryetarin e Kuvendit. Në të kaluarën kemi arritur edhe me ministrat. Shpresojmë që vota e BDI dhe e shqiptarëve të jetë vendimtare dhe ne të përcaktojmë kush do jetë kryetari i këtij vendi, me gjasë një shqiptar.

Të gjitha partitë politike kanë dorëzuar listat, por ne u bëjmë apel që të na bashkangjiten pas shpalljes së rezultateve në përpjekje të përbashkëta për kryeministrin e parë shqiptar. BDI nuk e kërkon kryeministrin për vete”, tha ai.