Gruevski: Të dënuarit e 27 prillit nuk janë terrorist

Të dënuarit për ngjarjet e 27 prillit nuk duhet të cilësohen si njerëz të cilët kanë kryer akt terrorist. Ata janë vetëm të përndjekur politik. Kështu e komenton ish-kryeministri i arratisur në Hungari, Nikolla Gruevski, ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Ai ka shkruar se askush nuk kishte shkuar atë ditë për të vrarë dikë. Sipas tij, nëse do të donin t’i vrisnin dhe po të ishte ky qëllimi, do të kishin ardhur me armë dhe me plan të mirë, të planifikuar dhe mund ta bënin për më pak se një minutë dhe të mos humbnin kohën për rreth një orë me thirrjet verbale.

Marketing

“Asnjë njeri normal në Maqedoni dhe në Diasporë nuk beson se të dënuarit dhe të akuzuarit për ngjarjet e 27 Prillit ishin aty për të likuiduar Zoran Zaev dhe bandën e tij të vendosur në pushtet për të ripërcaktuar shtetin, të cilën ata e kryen në masë të madhe dhe në kurriz të saj iu mundësua padyshim të kryenin një krim të madh paralelisht me persekutimin politik të oponentëve.”, ka shkruar Gruevski.

Ish-kryeministri, Nikolla Gruevski, është njëri nga të akuzuarit si organizator i ngjarjeve të 27 prillit, por që është në arrati në shtetin hungarez. Të akuzuarit për ngjarjen e 27 prillit janë shpallur fajtorë për veprën penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues”. Ata u dënuan me gjithsej 211 vite burg.