Komisari për zgjerim i BE-së, Johanes Han është i kënaqur nga strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor, pasi sipas tij, është ngritur dinamikë e re në rajon.
Në intervistën për “Euroaktiv Gjermani”, Han ka thënë se përparim më të madh vitet e fundit ka shënuar Maqedonia, por edhe se shtetet e tjera të rajonit kanë shënuar progres më shumë se më parë.
Në pyetjen se cili shtet nga Ballkani Perëndimor ka arritur progres më të madh vitin e kaluar, eurokomisari me qëndrim:
“E para dhe me rëndësi, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, e cila e ka tejkaluar krizën e thellë politike me mjete demokratike. Vendi ka arritur përparim të dukshëm në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe reformat prioritare, të Qeverisë së re pro- reformuese dhe pro-evropiane. Veçanërisht të rëndësishme janë përpjekjet e Qeverisë dhe të kryeministrit Zaev për fqinjësi të mirë. Pas marrëveshjes për fqinjësi me Bullgarinë, së fundmi pas 27 vitesh përpjekjet nën ndërmjetësimin e KB-së, kontesti i emrit mes Shkupit dhe Athinës është zgjidhur. Kjo marrëveshje historike paraqet hap të rëndësishëm në realizimin e perspektivës euroatlantike të vendit”, ka thënë Han.
Ai rikujton se për marrëveshje të suksesshme nevojitet edhe referendum i suksesshëm.
“Për këtë shkak, i ftoj të gjithë faktorët politik që në mënyrë konstruktive të punojnë që të arrijnë këtë qëllim, jo të rrezikojnë përparimin për shkak të politikës ditore. Bëhet fjalë për të ardhmen e vendit, pasi referendumi për marrëveshjen me Greqinë dhe emri i ri duhet të zbatohet sa më shpejtë të jetë e mundur. Ratifikimi dhe referendumi i suksesshëm, janë hapa esencial në rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”, ka potencuar eurokomsiari Han.
Në pyetjen nëse viti 2025, i cili në Strategji potencohet si vit për zgjerimin e mundshëm të BE-së është shumë larg për vendet të cilat dëshirojnë të jenë pjesë e Unionit, Han potencoi se kjo datë indikative nuk është shumë larg, pasi që për reforma dhe për miratimin e standardeve të BE-së nevojitet kohë. Ai potencoi se nuk bëhet fjalë vetëm për ndryshimin e ligjeve, por edhe për zbatimin e tyre.
Sa i takon vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, Han vlerësoi se në vitin e fundit secili prej vendeve ka shënuar progres me shpejtësi dhe intensitet të ndryshëm.
“Mali i Zi dhe Serbia, për momentin janë “kryesuese” për hapjen e kapitujve dhe tani i kanë nga 31, gjegjësisht 144 të hapura prej gjithsej 35″, përkujtoi eurokomisari.
“Shqipëria ka pasur progres të mirë me prioritetet reformuese, veçanërisht me reformën ambicioze të gjyqësisë, ndërsa Qeveria tregoi unitet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, vlerësoi Han.
Ai thotë se si edhe Maqedonia edhe Shqipëria punon në zgjidhjen e çështjeve të hapura kufitare dhe dëshiron marrëdhënie të mira fqinje dhe potencoi se duke iu falënderuar progresit të konsiderueshëm të dy vendeve, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave.
“Kosova i plotësoi kushtet që kishin mbetur për liberalizimin e vizave dhe kështu kemi mundur të japim rekomandim, ndërsa Bosnjë e Hercegovina iu përgjigj pyetjeve të Pyetësorit të KE-së, që është kusht për dhënien e statusit të kandidates”, theksoi eurokomisari për zgjerim.
“Ballkani Perëndimor është i rrethuar me anëtare të BE-së dhe të Evropës dhe i takon edhe në aspektin gjeografik, historik por edhe në atë kulturor. Parim i imi për zgjerimin është eksporti i stabilitetit, në vend të importit të jostabilitetit. Në këtë kuptim, eurointegrimi i Ballkanit Perëndimor është investim në sigurinë dhe stabilitetin e Unionit. Nuk duhet harruar as aspekti gjeostrategjik: nuk do të ishte e mençur pas vetes të lihet vakum, të cilin do ta shfrytëzojnë aktorë të tjerë ndërkombëtarë, vlerat e së cilëve nuk janë si vlerat tona”, elaboroi Han në intervistën për “Euroaktiv Gjermani”.