Heqja e 20 %/ Dështon thirrja e Kasamit për takim të partive shqiptare?

Ndonëse Lëvizja Besa ende nuk ka bërë të ditur se kush nga partitë shqiptare do t’ju shkojë në takimin që e thirrën ata, megjithatë duket se asnjë prej tyre nuk e ka pranuar ftesën. Përgjigja e BDI-së lë të kuptohet se ata do të marrin pjesë vetëm në takimin që organizon kryeministri Kovaçevski dhe jo në atë të Besës.

Marketing

Nga BDI thonë se  kjo çështje nuk duhet të jetë pjesë e agjendës kombëtare të partive politike shqiptare dhe ky proces duhet të rrjedhë natyrshëm, pa u krijuar bujë e madhe në opinion, dhe në këtë drejtim nuk duhet të ketë hezitim nga asnjë subjekt politik.

Për partinë Alternativa dhe PDSH-në nuk ka logjikë të thirret tryezë e partive politike shqiptare për çështjen e 20 për qindëshit, kur të gjitha subjektet kanë treguar se janë pro ndryshimit të këtij formulimi.

Nga Aleanca për Shqiptarët, qëndrim do të kenë pas mbledhjes se Komisionit për organizim të kongresit që ka kompetencat e kryesisë. Besa e thirri takimin në kuadër të tryezës së përbashkët të partive parlamentare shqiptare ku si temë kryesore u paralajmërua që do të jenë ndryshimet kushtetuese dhe heqja e 20% si definicion për shqiptarët.

Ndërkaq Besa kur bëri ftesën për takimin, nuk caktoi as ditën e as orën me qëllim që kjo të bëhet në koordinim me agjendat e partive.