Të ka rënë rruga ndonjëherë në Kalivaç te Tepelenës? Me siguri ke pyetur veten, ndërsa fshati ka mbaruar, ende pa mbaruar ti shqiptimin e emrit: Si jetohet këtu? Çfarë mund të bësh? Sikur të isha vajzë nga Kalivaçi, si do ia dilja në këtë vend? Duke ëndërruar, mbase. Si Mirjeta. Që ia doli të shkojë te ëndrra, nga Kalivaçi në Amerikë.
Ajo është Mirjeta Pasha, petagoge matematike dhe studente doktorature për Matematikë të aplikuar në USA. Mirjeta bën kërkim shkencor midis të tjerash, edhe në përmirësimin e skanerave (mamografi, x-rays etj) për të përmirësuar cilësinë e imazhit. Mirjeta Pasha ka lindur ne Kalivaç, aty është rritur dhe arsimuar, deri në moshën 18-vjeçare. Ajo jetonte me familjen, dhe si çdo fëmijë tjetër, merrej ndonjëherë dhe me punët e fshatit. I bënte për të ndihmuar familjen, por mendjen e kishte te librat, të mësonte dhe të bëhej dikush në jetë.
Mirjeta tregon për dritare.net, jetën e saj, si iku nga fshati, periudhën kur ishte studente, në Tiranë dhe kur ishte më pas pedagoge. Ajo tregon për largimin në SHBA dhe vështirësitë e panumërta që kishte hasur atje. Tregon sesi mori guximin të linte profesionin si pedagoge në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe të shkonte në “fund të botës”, siç themi ne, pa e ditur se çfarë e priste.
Mirjeta është larguar nga fshati i saj në vitin 2009 dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Natyrore për Inxhinieri Matematike dhe Informatike. Ndërkohë që jetonte në Shqipëri, dhe sapo kishte përfunduar studimet e larta, Mirjeta ishte punësuar në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës, dhe pas përfundimit të masterit, pati shansin të fitonte një vend pune në Universitetin Politeknik të Tiranës, si pedagoge matematike. Mirjeta ishte një studente e shkëlqyer në Tiranë, dhe pavarësisht se ajo ishe e punësuar mjaft mirë, përsëri ndjente se diçka nuk ia plotësonte Shqipëria, diçka që vetëm ëndrra amerikane ta përmbush.
Një ditë vendosi të hidhte lotarinë amerikane, pa shumë shpresë që do fitonte, dhe kur dolën përgjigjet, mori lajmin e mirë se ishte fituese.Ajo, bashkë me bashkëshortin e saj që punonte në Ministrinë e Bujqësisë në atë kohë, u nisën drejt Amerikës, në verë të 2015, dhe pse kishte kundër familjarët që i donin afër dhe i bindnin se ishin mirë këtu. Ata u nisën vetëm që të rrinin dy muaj, sepse bashkëshorti i saj Edvini, duhej të kthehej në punë, pas lejes. Në korrik të 2015, Mirjeta dhe Edvini prekën në ëndrrën amerikane, por Amerika nuk ishte siç e kishin menduar. Ishte e kundërta e asaj që ata kishin përfytyruar. Për dy të rinj, mes një vendi aq të madh, nuk ishte e lehtë.
“Ka qenë komplet ndryshe, nuk përshtateshim dot me asgjë. Gjatë dy muajve që kemi ndenjur në Amerikë, kemi qëndruar te një i afërmi ynë. Ai ka një seri restorantesh në Teksas, dhe punonim aty”, tregon Mirjeta për dritare.net Ndërkohë që vazhdonin qëndrimin në Amerikë dhe punonin në restorant, Mirjeta aplikoi për doktoraturë, edhe pse nuk kishte shumë shpresë se mund të fitonte, sepse procedurat ishin shumë të komplikuara. Si përfundim, pas dy muajve, në shtator të 2015-ës, ata u kthyen në Shqipëri. U kthyen, por Mirjeta mendjen e kishte në SHBA, pavarësisht se përshtypja e parë nuk qe e mirë. Amerika kishte diçka që e nxiste atë, të jetonte atje. Në janar të 2016 Mirjeta mori vesh lajmin e mirë se do të bëhej nënë, dhe kishte dëshirë që vajza e saj Emily Amalia, patjetër duhet të lindte në Amerikë.
Ajo u nis e vetëm për në Amerikë, pasi bashkëshorti i saj nuk mundi ta shoqëronte. Sapo arriti, Mirjeta mori dhe një lajm të mirë, ishte pranuar për doktoraturë për Matematikë të Aplikuar në Kent State University. Jo vetëm kaq, ajo kishte fituar bursë të plotë.
“Ishte një lajm i mrekullueshëm për mua. Ishte ajo që kisha ëndërruar”, kështu e përshkruan Mirjeta momentin kur ka marrë vesh lajmin. Në prill të 2016, bashkëshorti i saj erdhi në Amerikë. Fill pas disa javësh lindi vajza, dhe sapo ajo u bë 4-muajshe , Mirjeta nisi të shkonte në shkollë.
Amerika është e vështirë, dhe pikërisht kur u bë me vajzë jeta e saj u vështirësua dhe më shumë. Por ajo është e zonja dhe diti si t’ja dalë, duke marrë dhe mbështetjen maksimale të bashkëshortit. Ndërkohë që Mirjeta ishte në shkollë ditën, bashkëshorti i saj punonte natën, dhe gjatë ditës, ai kujdesej për vajzën.
“Ka qenë një periudhë super e vështirë. Doktoratura në SHBA është një shkollë e vërtetë. Mua më duhej të bëja 15 orë mësim, isha studente në lëndë super të vështira të Matematikës së Aplikuar. Sinqerisht, as nuk dua ta kujtoj. Kush ka qenë student në SHBA më kupton. Plus kujdesesha që të kisha një familje të shëndetshme. Ka pasur raste kur flija 3-4 orë gjumë në dy ditë”, tregon Mirjeta për dritare.net.
I gjithë ky mund, Mirjetës iu shpërblye. Ajo i mori të gjitha lëndët me rezultate ekselente, dhe ka marrë 5 çmime mjaft të rëndësishme për të, brenda dy viteve, dhe është pedagoge në matematike të aplikuar. Gjithashtu, Mirjeta po kryen një kërkim shkencor për përmirësimin e skanerëve, mundësi të cilën nuk e gjente në Shqipëri. Mirjeta nuk është vetëm pedagoge Matematike në SHBA, ajo është dhe zv/Presidente e shoqatës Women in Math at KSU, organizatë që frymëzon të rinjtë, veçanërisht femrat që studiojnë matematike. Jeta e Mirjetës në SHBA, momentalisht është e stabilizuar, por qëndrimin gjithmonë atje e ka me dy mendje. “Mundësitë dhe prespektivat e familjes time janë më të mira këtu, por në Shqipëri kemi familjarët tanë. Unë dëshiroj të punoj në Universitet, ose në ndonjë Qendër të Kërkimeve Shkencore, por mundësitë në Shqipëri nuk janë. Megjithatë, ky vendim do i mbetet kohës”, thotë ajo.