I dërgoi letra me helm Donald Trump, dënohet me 22 vjet burg kanadezja

Një grua kanadeze është dënuar me 22 vjet burg në SHBA për dërgimin e letrave të mbushura me helm ricin, duke përfshirë edhe Donald Trumpin kur ai ishte president.

Marketing

56-vjeçarja Pascale Ferrier, ra dakord për dënimin në janar pasi u deklarua fajtore për akuzat për armë biologjike.

Zarfi vdekjeprurës drejtuar zotit Trump u kap në shtator 2020 përpara dorëzimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ferrier i tha gjykatës se i vinte keq që plani i saj kishte dështuar dhe se “nuk mund ta ndalonte Trumpin”. Në një fjalim të gjatë në gjykatë, ajo tha gjithashtu se e shihte veten si një aktiviste dhe jo si terroriste.

“Dua të gjej mjete paqësore për të arritur qëllimet e mia”, shtoi Ferrier.

FBI gjeti gjurmët e gishtave të saj në letrën drejtuar zotit Trump, e cila i kërkonte atij të hiqte dorë nga gara presidenciale.

“Kam gjetur një emër të ri për ty: “Kllouni i shëmtuar tiran”, shkruante ajo në letër, sipas dokumenteve të akuzës së FBI-së.

Ajo do të deportohet nga SHBA pas vuajtjes së dënimit dhe do të përballet me mbikëqyrjen e përjetshme nëse kthehet.

Gjykatësja Friedrich i tha Ferrier-it se veprimet e saj ishin “potencialisht vdekjeprurëse” dhe “të dëmshme për shoqërinë dhe për viktimat e mundshme”.

Ferrier pranoi gjithashtu dërgimin e letrave të ngjashme të helmuara te tetë zyrtarë të zbatimit të ligjit në Teksas.

Në vitin 2014, një burrë nga Misisipi u dënua me 25 vjet burg pasi i dërgoi letra me ricin Presidentit Barack Obama dhe zyrtarëve të tjerë.