Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se po shtohen vatrat me koronavirus në qendrat sportive dhe ato të kujdesit për fëmijët në Shtetet e Bashkuara. Spitalet po raportojnë për më shumë të rinj të shtruar me simptoma të rënda të sëmundjes dhe duket se shkaktarë të kësaj rritjeje janë variantet e koronavirusit.
Duke folur të mërkurën gjatë seancës së informimit për COVID-in në Shtëpinë e Bardhë, Drejtorja e Qendrave për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Rochelle Walensky, tha se rastet po rriten në radhët e të rinjve, ndërsa në vend po mbizotërojnë variantet e tjera të koronavirusit.
“Në mbarë vendin kemi njoftime për vatra rastesh të lidhura me qendrat e kujdesit për fëmijët dhe të sporteve për të rinjtë. Spitalet po shohin gjithnjë e më shumë të rinj në moshë madhore, persona në të 30-tat dhe të 40-tat, që shtrohen me sëmundje të rëndë. Të dhënat sugjerojnë se këto po ndodhin ndërsa shohim gjithnjë e më shumë mbizotërimin e varianteve të SARS-CoV-2, me 52 distrikte që raportojnë tashmë raste shqetësuese variantesh”, tha zonja Walenksy.
Varianti shumë ngjitës B.1.1.7 i pati fillimet në Britani. Është varianti më i pranishëm në Shtetet e Bashkuara dhe ka rezultuar më i transmetueshëm dhe më ngjitës mes amerikanëve të rinj.
“Në fushat me transmetim domethënës ose të lartë në komunitet, udhëzimet e CDC-së sugjerojnë në veçanti të mos zhvillohen sporte të të rinjve që nuk bëhen përjashta dhe për të cilat nuk mund të ruhet distanca prej të paktën 2 metrash. Po kështu, duhen shmangur edhe aktivitetet e mëdha”, tha zonja Walensky.
Administrata Biden gjithashtu tha të mërkurën se qeveria federale po zgjeron qasjen tek vaksinimi për të gjitha qendrat komunitare.
“Po zgjerojmë programin e vaksinimit në komunitet, në mënyrë që rreth 1400 qendra shëndetësore komunitare të regjistrohen për të filluar vaksinimin e pacientëve të tyre. Shumë qendra shëndetësore komunitare ndodhen në komunitete në disavantazh dhe u shërbejnë pacientëve që janë përgjithësisht pa siguracion shëndetësor ose me siguracion të dobët”, thotë Andy Slavitt, koordinator i Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.
Shtetet e Bashkuara udhëheqin botën me mbi 30.9 milionë raste të konfirmuara dhe mbi 559 mijë vdekje të konfirmuara, sipas të dhënave të Qendrës për Koronavirusin të Universitetit Johns Hopkins.
Deri më tani, programi i vaksinimit i është përmbajtur programit. Mbi 108 milionë amerikanë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës./VOA