Iniciativa “Ballkani i Hapur”, mungon Zaev, takimi shtyhet për të enjten

Iniciativa “Ballkani i Hapur” nënshkrues të së cilës janë Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia, punimet e paralajmëruara për të mërkurën dhe të enjten, do t’i mbajnë vetëm në një ditë, më 4 nëntor. Në Beograd ishin paraparë takime bilaterale si dhe agjendë më e ngjeshur, por organizatorët vendosën që ngjarja të zhvillohet vetëm në një ditë të vetme, të cilës do ti paraprijë një darkë pune, njoftojnë nga Sekretariati për eurointegrime, ku njëherit udhëheqësi i këtij dikasteri Nikolla Dimitrov, është edhe përfaqësues i shtetit në takim.

Marketing

Vetëm një ditë pas dorëheqjes së kryeministrit Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në rrjetet sociale shkroi se “duhet të mendohet nëse do të mbahet takimi në Beograd duke pasur parasysh zhvillimet politike në Shkup, pas rezultateve të zgjedhjeve lokale”. Por, megjithatë takimi nuk u prolongua.

Të enjten zhvillimet do të nisin me një takim me përfaqësuesit e biznesit, për t’ia lënë vendin pastaj takimit trepalësh. Për çfarë do të dakordohen në takim Vuçiç, Rama dhe Dimitrov do t’i deklarojnë në një konferencë të përbashkët për mediat. Edhe ky takim i radhës e gjen iniciativën e Ballkanit të Hapur pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.