Inter në finalen e SuperKupës

Inter është finalistja e dytë në SuperKupën e Italisë.

Marketing

Zikaltërit mposhtën në Riyadh, Lazion me shifrat 3-0, dhe të hënën në mbrëmje do të sfidojnë në finale Napolin. Skuadra e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi e dominoi takimin ndaj bardhekaltërve të Maurizio Sarrit teksa e zhbllokuan ndeshjen në minutën e 17, falë një aksioni model.

Dimarco dhuroi një pasim shumë të bukur për Marcus Thuram dhe francezi i gjendur fare pranë portës së Provedel nuk gaboi dhe e dërgoi topin në rrjetë. Në minutën e 36, Inter pati shansin për të dyfishuar shifrat, por Barella nuk e pati fatin me vete pasi goditja e tij u ndal në traversë. Gjithsesi, goli i dytë do të vinte në fraksionin e dytë të ndeshjes teksa Lautaro Martinez fitoi një 11-metërsh.

Fillimisht, arbitri Marchetti nuk e akordoi faullin, por sistemi VAR ndërhyri dhe më pas gjyqtari nuk pati dyshime. Nga pika e bardhë u shfaq “specialisti” i 11-metërshave, Hakan Calhanoglu i cili nuk gaboi përballë portierit Provedel.

2-0 dhe Inter më pas e menaxhoi më së miri ndeshjen, teksa patën mundësinë për të shënuar edhe të tretin, por Lautaro Martinez u ndal nga traversa. Në minutën e 80 u aktivizua edhe Kristjan Asllani teksa në të 83-tën për Lazion u aktivizua Elseid Hysaj. Në fund, Inter shënoi edhe golin e tretë me Frattesin teksa të hënën do të përballet me Napolin për të mbrojtur statusin e kampiones në fuqi të SuperKupës./ SuperSport