Investime infrastrukturore në Gostivar, Elezi: Punojmë për mirëqenien e qytetarëve

Ministria e Financave, me një grand prej 4,6 milionë euro, mjete të pakthyeshme nga Sekretariati shtetëror zviceran për çështje ekonomike (SEKO), synon të përmirësojë infrastrukturën e ujësjellësit dhe kanalizimit në komunën e Gostivarit.

Marketing

Në një prononcim për TVM2, zëvendësministrja e financave, Shiret Elezi, theksoi se këto mjete jenë paraparë për furnizim me pajisje, zvogëlim të humbjes së ujit, mjete për rezervuar të ri, për gypa të rinj, si dhe mjetet për përmirësim të tërësishëm të rrjetit. Projekti ka filluar në vitet 2015/2016, kur u realizua faza e parë, që u pasua më vonë me kompletimin e tërë dokumentacionit.

“Komuna e Gostivarit arriti të ndërtojë projekt-plan dhe dokumentacion që në vitin 2016 dhe si rezultat i të njëjtit shfaqi interesim në institucionet ndërkombëtare, gjegjësisht në SEKO, dhe pikërisht në këtë projekt, në fazën e parë, në hapin e dytë, SEKO-ja do të lëshojë grand prej 4,6 milionë euro vetëm për komunën e Gostivarit. Do të përfshihen 15 vendbanime apo fshatra së bashku me qendrën e qytetit, gjegjësisht do të bëhet zëvendësimi i gypave për ujësjellës që janë nga asbesti. Investimi ka të bëjë për 20 projekte nëpër vendbanimet duke përfshirë vendbanimet e fshatrave Banjicë, Forinë, Çegran, Çajlë, Debresh, lagjen Tullana dhe vendbanimet përreth”,- tha zëvendësministrja e financave, Shiret Elezi.

Përveç grandit nga Zvicra, për realizimin e këtyre projekteve, Elezi tha se do të ketë dhe grand prej 250 mijë euro nga banka KfV, si dhe përmes huas nga Qeveria në vlerë prej 1,7 milionë euro.

Marketing