Irani refuzon arritjen e një marrëveshjeje me SHBA-në

Një këshilltar i lartë i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka refuzuar sugjerimin e presidentit amerikan, Donald Trump se Irani duhet të kërkojë të arrijë një marrëveshje me SHBA-në për të lehtësuar “dhimbjen” ekonomike, për shkak të sansioneve.

Marketing

Ali Akbar Velayati, teksa po vizitonte Moskën më 13 korrik, gjithashtu ka refuzuar kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit se ushtria iraniane duhet të largohet nga Siria, duke thënë se kjo gjë do të ndodhë vetëm nëse Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad ia kërkon Iranit që të largohet.

“Kemi arritur këtu pa lejen e amerikanëve dhe nuk do të plotësojmë kërksën e tyre për t’u larguar. Prezenca e Iranit në Siri koordinohet me Rusinë dhe Sirinë”, është shprehur Valeyati.

Valeyati është takuar me presdientin rus, Vladimir Putin me të cilin ka diskutuar për situatën në Siri. Ky takim ka ndodhur vetëm një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është takuar me Putinin dhe i ka bërë thirrje që Irani të largohet nga Siria.

Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur kërkesat e Izralit që Irani të largohet nga Siria dhe mediat kanë raportuar se presdienti Trump, gjatë samitit të tij me Putinin në Helsinki, do të kërkojë që të arrijë një marrëveshje, për një tërheqje të pjesshme të luftëtarëve dhe aleatëve iranianë nga zonat afër kufirit të Izraelit me Sirinë.