Gjatë javës së kaluar (nga data 28 janar deri më 3 shkurt) janë regjistruar gjithsej 1.252 të infektuar me grip, që është dyfish më shumë krahasuar me javën para saj kur janë regjistruar 643 të prekur nga gripi. Pritet rritje e aktivitetit të virusit dhe arritja e kulmit e sezonit të gripit gjatë javëve të ardhshme, thuhet në raportin që në ueb faqe e ka publikuar Instituti për Shëndet Publik (ISHP).
Epidemiologu Zharko Karaxhovski nga ISHP ka informuar se më 5 shkurt, 25 vjeçarja nga Ohri ka vdekur në Klinikën për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv për shkak të komplikimeve të gripit. Më 6 shkurt, një vajzë pesëvjeçare ka vdekur në Klinikën për sëmundje të fëmijëve nga komplikimet e shkaktuara të gripit.
Në raportin e ISHP-së thuhet se numri i personave të paraqitur këtë javë është më i vogël për 37.4 përqind krahasuar me javën e pestë të sezonit të kaluar kur janë regjistruar 2.001 raste. Incidenca e regjistruar këtë javë për herë të parë këtë sezon është mbi kufirin javor të aktivitetit sezonal të virusit të gripit.
Këtë javë në laboratorin e ISHP-së kanë arrit 50 materiale për testimin e gripit, ku 28 (56 për qind) kanë qenë pozitive për praninë e virusit të gripit – 24 Influenza A(H1N1) pdm09, dy -Influenza A(H3) dhe dy Influenza А.
Numri më i madh i të infektuarve (826) janë paraqitur në grupmoshat prej 15 deri 64 vjeç, ndërsa incidenca më e larë prej 91.6 për qind në 10 mijë është i regjistruar tek fëmijët e grupmoshës prej pesë deri 14 vjeç.
Sipas të dhënave nga Drejtoria për shëndetësi elektronike, janë vaksinuar 19.960 persona me vaksina pa pagesë kundër gripit sezonal (persona më të vjetër se 65 vjet me pension mesatar ose të ardhura), ose 71.3 për qind nga numri i përgjithshëm i vaksinave të furnizuara.
Nga kategoria e punëtorëve shëndetësor, janë vaksinuar 801 persona ose 4.1 për qind, ndërsa nuk ka të vaksinuar gra shtatzëna. Nga numri i përgjithshëm i të vaksinuarve, 14.095 persona ose 72.9 për qind janë me histori të sëmundjeve kronike, qëndron në komunikatën e ISHP-së.