Javën e ardhshme fillon orari i rregullt i punës në Shërbimin Korrektues

Të gjithë punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, do të dalin në punë nga java e ardhshme.

Marketing

Përmes një njoftimi për media, ky Shërbim ka thënë se i ka ftuar punëtorët që më 26 maj (e martë) të rinisin punën.

“Gjatë paraqitjes në punë, stafi uniformuar dhe ai civil është i obliguar t`i zbatoj rregullat në fuqi për mbrojte nga pandemia e Covid-19”, thuhet në njoftim.

Në njoftim, nuk bëhet e ditur se çfarë ndryshime në orarin e punës janë zbatuar deri më tash, për punëtorët e Shërbimit Korrektues.

Më herët, është njoftuar se Shërbimi ka realizuar një plan operativ, sipas të cilit, janë ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri.

Autoritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë bërë të ditur se deri tani, në të gjitha burgjet, nuk ka asnjë rast të konstatuar me COVID-19 nga radhët e të burgosurve.

Testimin e tyre e ka realizuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.