Javën e ardhshme pritet të zgjidhet problemi me diabetikët

Ministri i shëndetësisë Fatmir Mexhiti, ka premtuar të zgjidhë menjëherë problemet e vonesave në tenderimet dhe prokurimet publike të barnave të nevojshëm për pacientët me diabet.

Marketing

Ky lajm është shpallur pas një periudhe të diskutimeve të ndërlikuara dhe takimeve të mëdha me përfaqësuesit e kompanive përgjegjëse për furnizimin e glukometrave dhe shiritave për diabetikët. Ministri Mexhiti ka shprehur thellë keqardhje për vonesën në sigurimin e barnave të rëndësishëm për pacientët me diabet, por ka theksuar se në rolin e tij si ministër, nuk do të ketë më vend për këtë lloj problemi.

Ai ka bërë të ditur se ka vepruar me vendosmëri dhe ka kërkuar të koordinojë përpjekjet me kompanitë e interesuara për të siguruar furnizimin e shpejtë të glukometrave dhe shiratave.

“Me iniciativën time, kërkuam përfaqësuesit e kompanisë, ata më vizituan dy herë që t’i merrnim sa më shpejt këta glukometër dhe shirita në mënyrë që diabetikët normalisht të marrin atë që është e drejtë e tyre e shenjtë, e cila u garantohet me ligj. Përderisa unë jam ministër, tani e tutje nuk do të ketë vonesa në tenderimin apo prokurimin publik të barnave, përveç rastit të mungesës së një komponenti apo ndonjë lënde” – tha Ministri i Shëndetsisë, Fatmir Mexhiti.

I pyetur se pse për glukometrat e marra kishte ankesa se vinin në ambalazh të papërshtatshëm dhe pa udhëzime për përdorim, ministri u përgjigj se i kërkuan kompanisë që kjo të mos ndodhte në të ardhmen.

“Bëmë përpjekje dhe kërkuam që kompania t’i vendoste në një kuti dhe të kishte udhëzime, që të mos barten kështu në të ardhmen. Natyrisht që diabetikët kanë të drejtë në këtë rast, por ligjet janë ato në vend për prokurimet publike dhe ne duhet t’i respektojmë. Unë si ministër dhe Ministria e Shëndetësisë ju garantojmë që janë cilësore, efektive dhe të mira” – u shpreh Mexhiti.

Ministri tha se pesë mijë glukometra kanë mbërritur këtë javë dhe 17 mijë të tjerë pritet të vijnë muajin e ardhshëm.