Një krim i kryer gjatë stresit të pasionit, pa mundësi reflektimi, ka tronditur mëngjesin e djeshëm Tiranën.
Një 31-vjeçar ka qëlluar me armë zjarri vajzën që donte dhe më pas veten.
Ngjarja ka ndodhur pak metra larg kishës së Don Boskos, ku Xhaferr Mata ka vrarë me dy plumba pistolete ish të dashurën, 19-vjeçaren Xhuljeta Çuni dhe më pas ka qëlluar edhe veten, duke ndërruar jetë një orë më vonë në spital.
31-vjeçari nga Kukësi, me profesion inxhinier i është afruar vajzës teksa ecte në zonën e “Don Boskos” dhe sipas dëshmitarëve okular, përpara se djali të kryente aktin makabër, ka debatuar me 19-vjeçaren. Pas sherrit, i cili mësohet të ketë zgjatur pak sekonda vajza ka tentuar të largohet, por Mata ka qëlluar me pistoletë dy herë drejt Xhuljetës, duke e lënë të vdekur. Dyshohet se mes 31-vjeçarit dhe Xhuljeta Çunit ka pasur një lidhje intime që më pas është ndërprerë nga e reja, çka ka sjellë dhe irritimin e Xhafer Matës.
Në lidhje me këtë ngjarje tragjike, ka reaguar për “Gazeta Shqiptare”, vëllai i autorit. I tronditur për gjithçka kish ndodhur, ai tregon me dhimbje se ngjarja e rëndë ishte ende e pabesueshme për të.
“Nuk e shpjegoj dot pse arriti deri në këtë pikë. E dija që e donte shumë vajzën. Nga dashuria madhe iu errën sytë. Braktisi gruan për vajzën që donte, dhe e reja e tradhtoi. Ende nuk e besoj që gjërat shkuan kështu. La jetim fëmijën 1 vjeç, – shpreh për ‘GSH’ vëllai i Xhaferr Matës.
I pyetur se çdo të ndodhë me djalin e mitur ai u shpreh me lot në sy se fëmijën do ta rriste familja e Xhaferit. “Djali jeton me ne, kur u divorcua më gruan, fëmijën e mbajti Xhaferri. Ish-gruaja u kthye te njerëzit e vet, dhe djalin ia la vëllait. Fëmijën do ta rrisim ne”,-u shpreh me dhimbje vëllai i 31-vjeçarit. Një i afërm, i cili ndodhej në banesën e autorit tregon për të shkuarën e Xhaferit.
“U divorcua në dhjetor nga gruaja, mësuam se kishte një lidhje dashurie me 19-vjeçaren. Jemi të pushtuar nga dhimbja me tragjedinë që ndodhi, akoma nuk mund ta besojmë. Ishim në dijeni që Xhaferri e donte vajzën. Ishte shumë i qetë, punëtor dhe aspak problematik. Nuk e shpjegojmë dot këtë që ndodhi”,-u shpreh një i afërm i Xhaferit.
Banorë të lagjes ku banonte i riu, të tronditur nga lajmi e përshkruajnë 31-vjeçarin si djalë pa probleme dhe person që nuk përfshihej në konflikte. “Kanë ardhur familjarisht para shumë vitesh në këtë lagje. Xhaferri ishte djalë i urtë, dhe asnjëherë nuk ka hapur probleme në lagje. Kishte mbaruar shkollën për inxhinieri mekanike, madje u diplomua këto muajt e fundit. Ishte shumë djalë punëtorë, ka një servis makinash dhe punonte për orë të tëra. Jemi të tronditur me ngjarjen”, u shpreh një i moshuar, i cili banonte pranë shtëpisë së 31-vjeçarit.
Dinamika e ngjarjes
Më datë 08.06.2018, rreth orës 08:10, në zonën e Don Boskos, në rrugën “Eshref Frasheri”, Xhafer Mata vrau ish-të dashurën e tij vetëm 19 vjeçe dhe më pas qëlloi mbi veten. Edhe pse u transportua menjëherë në spital ai ndërroi jetë. Vrasja ka ndodhur përpara një bar-kafeje dhe një furre buke, ndërsa dëshmitarët e shumtë janë terrorizuar nga ajo që panë. Sipas dëshmitarëve Xhafer Mata, është parë pak para krimit teksa bënte lëvizje kaotike në trotuar. Ai priste të kalonte Xhuljeta, vajza që donte e me të cilën dyshohet të ketë pasur një lidhje intime. Mësohet se fillimisht Mata e ka ndaluar në rrugë dhe ajo i ka kërkuar të mos e prekë. Sipas dëshmitarëve i riu i bërtiste vajzës duke e akuzuar se e ka ndarë nga familja e tij. “Më ndave nga familja, më ndave nga fëmija. Më ndave nga njerëzit e mi, më shkatërrove jetën. Pse ma bëre këtë”? Mësohet se i ka thënë Xhaferi Xhuljetës.
Mësohet se pasi kanë debatuar për disa minuta vajza i ka kthyer shpinën dhe ai e ka qëlluar me një plumb. Ajo është rrëzuar në tokë ka nisur të kërkojë ndihmë, kalimtarët janë afruar, por ai iu ka drejtuar pistoletën, duke i zmbrapsur e duke iu thënë të mos kishin frikë pasi nuk do t’ju bënte gjë atyre. Gjithçka ka ndodhur në pak sekonda. Kur ka parë vajzën të lëvizte e të kërkonte ndihmë, ai i është afruar sërish dhe e ka qëlluar në fytyrë. Xhuljeta Çuni nga fshati Vinjoll i Matit, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe pas goditjes së dytë, gjeti vdekjen e menjëhershme. 31-vjeçari nga Kukësi pasi është siguruar se e ka vrarë ka vazhduar lëvizjet kaotike me pistoletë në dorë. Një grua i është drejtuar duke e pyetur se përse e vrau, ndërsa Xhafer Mata është përgjigjur i qetë “Mirë ia bëra që e vrava”. Pak pas ngjarjes është parë të largohet me hapa të ngadaltë, është ulur afër një peme disa metra më tutje dhe ka nisur të qajë. Në momentin që policia ka mbërritur në vendngjarje, Xhaferri ka qëlluar veten me një plumb në kokë, ndërsa një orë pas ngjarjes ka ndërruar jetë në spital.
Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës së rëndë të shkaktuar nga një plumb në kokë ndonëse u transportua menjëherë pranë Qendrës Spitalore të Traumës. Ka qenë e pamundur madje të ndërhyhej nga mjekët për të hequr plumbin për shkak të dëmtimit shumë të madh. Mjekët e kanë klasifikuar si një rast terminal që në mbërritjen e tij në spital. Mësohet se Xhafer Mata ishte divorcuar në dhjetor të vitit 2017, ndërsa kishte një djalë 1 vjeç. Ndërkohë fëmijën e mbante ai bashkë me prindërit e tij. Mata kishte krijuar një lidhje jashtëmartesore me Xhuljetën, marrëdhënie që çoi edhe në divorc. Pavarësisht se hoqi dorë nga martesa e tij, lidhja me Xhuljetën zgjati vetëm 6 muaj. Po ashtu mësohet se vajza punonte në një supermarket afër banesës së djalit.