Kasami i ofron bashkëpunim grupit të “zjarrit”

I ashtuquajturi “grupi i zjarrit” në BDI do të ishte i pranueshëm për Lëvizjen Besa për bashkëpunim, vetëm nëse vendos të shkëputet nga partia dhe të formohet një parti e re. Me shumicën aktuale parlamentare është mbyllur çdo mundësi bashkëpunimi, tha i pari i Besës, Bilall Kasami, në një intervistë në emisionin “Rruga drejt” në Alsat, transmeton Portalb.mk.

Marketing

“Do të ishte i mirëseardhur për ne nëse “grupi i zjarrit” më në fund vendos të shkëputet nga BDI-ja, të formojë një parti politike dhe të ulemi së bashku dhe të bëjmë një koalicion të zgjeruar opozitar. Ata, Alternativa, me parti të tjera, me grupe të tjera, me intelektualë dhe faktorë të tjerë opozitarë nga sektori civil. Ne jemi të gatshëm t’i shtrijmë dorën për bashkëpunim çdo force politike me të cilën vlerësojmë se do t’i dëshmojmë votuesve shqiptarë se e kemi tejkaluar veten dhe se jemi gati të formojmë një forcë fituese që do të garantojë që vota e tyre të mos shkojë kot”, tha Kasami.

Ai theksoi se strukturat e Alternativës janë të mirëseardhura në Lëvizjen Besa.

“Nëse interesi i tyre i mëtutjeshëm është të bëjnë rotacion politik në kampin politik shqiptar, që nënkupton se BDI më në fund do të shkojë në opozitë, atëherë ata janë të mirëpritur të ulen bashkë dhe ta vazhdojnë projektin aty ku mbeti”, tha Kasami.

Sipas tij, Qeveria nuk guxon t’i dërgojë ftesë zyrtare Besës për t’iu bashkuar koalicionit qeveritar, as atij dhe as disa anëtarëve të tjerë të shquar të partisë, sepse jo vetëm që tradhtoi partinë e tij, por edhe votuesit shqiptarë.

Kujtojmë se mëpërmjet një konference për shtyp të mbajtur më 27 dhjetor, funksionarët e pakënaqur të BDI-së deklaruan se nga 19 premtime zgjedhore, vetëm dy janë realizuar tërësisht – “zëvendëskryeministri shqiptar dhe negociuesi shqiptar për BE dhe NATO”, ndërsa pjesërisht janë përmbushur pesë. Kjo, sipas Izet Mexhitit, do të thotë se BDI tërësisht i ka realizuar vetëm 1,2 përqind të premtimeve, 2,9 përqind janë realizuar pjesërisht, 95,9 përqind nuk janë realizuar. Lidhur me projektet infrastrukturore, siç potencoi, për dy vjet prej 520 milionë eurosh vetëm 11 milionë euro janë investuar për “pesë projekte shqiptare, në mesin e të cilave aksi Kërçovë – Dibër”.

Megjithatë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë një takim me bashkëpartiakët në Gostivar më 15 janar, u dërgoi porosi funksionarëve të “Grupit të Zjarrit” se nuk do ta largojë nga pozita zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi, pasi siç deklaroi, për atë ka vendosur shumica në parti. Ai shtoi se funksionarët e pakënaqur nuk kanë hequr keq pasi që tërë jetën kanë pasur funksione.

LEXO: S’kam kohë t’i komentoj deklaratat e Bejtës, tha Xhaferi për akuzat se i ka ndihmuar Taravarit në zgjedhje
Megjithatë, kjo porosi e Ahmetit nuk i ka zmbrapsur funksionarët e “Grupit të Zjarrit” që të heqin dorë nga kërkesat e tyre. Ahmeti me ministrat dhe anëtarët tjerë të pushtetit ekzekutiv mbajnë tubime me qytetarët, ndërkaq paralelisht edhe “Grubi i Zjarrit” mban tubime me qytetarët nën logon e BDI-së.