Një kërkesë skandaloze e anëtarit të Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës dhe drejtorit të kompanisë “Prisig”, Besarb Blakaj, që të dënohen pamëshirshëm qytetarët e Kosovës që vonohen për ta regjistruar makinën, ka hapur debat të gjerë në rrjetet sociale.
Blakaj ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që të vendos rregull me të cilin dënohen deri në 1,000 euro dhe shkatërrim të veturës qytetarët e vendit në rast se nuk e regjistrojnë veturën menjëherë pas skadencës së regjistrimit.
Ai propozon që për të gjitha ata që nuk i regjistrojnë automjetet deri në 7 ditë vonesë, t’iu shqiptohet gjobë 200 €, 7 deri në 15 ditë 500 €, 15 deri në 30 ditë 1,000 €, si dhe mbi 30 ditë vetura konfiskohet dhe dërgohet për shkatërrim.
Propozimi është pritur me nervozizëm të madh, sidomos në grupin “Marakli t’kerreve”, i cili mbledh adhuruesit e makinave, ku është kundërshtuar propozimi i Blakajt, në shumicën e komenteve me sharje e ofendime ndaj tij.
Në një situatë të mjerueshme sociale dhe ekonomike siç është kjo në Kosovë, kompanitë private vetëm sa përpiqen që ta legalizojnë presionin e tyre mbi qytetarët, duke u bërë shtrëngesa në financa dhe afate të pagesave. E gjithë kjo shkon në favor të kompanive të sigurimeve, të cilat tashmë veçse fitojnë miliona euro për çdo vit nga aktivitetet e tyre.
Më poshtë propozimi i plotë i Blakajt:
‘Ministrisë se Punëve të Brendshme i rekomandojmë:
-Rritjen e dënimeve për mos regjistrim të automjetit dhe atë: deri në 7 ditë vonesë, t’iu shqiptohet gjobë 200 €, 7 deri në 15 ditë 500 €, 15 deri në 30 ditë 1,000 €, si dhe mbi 30 ditë vetura konfiskohet dhe dërgohet për shkatërrim.
-Gjobat e grumbulluara nga mos regjistrimi i automjeteve të barten në Fondin e Kompensimit, i cili funksionin në kuadër të Byrosë Kosovare të Sigurimeve për mbulimin e dëmeve pikërisht nga automjetet e pasiguruara”, ka thënë ai.
“Ministrisë së Financave i rekomandojmë:
-Dërgimin e menjëhershëm të ligjit mbi të ardhurat e korporatave në Kuvendin e Kosovës për aprovim, ku edhe kompanitë e sigurimeve të trajtohen të barabarta me të gjitha kompanitë e tjera ne vend dhe të tatohen mbi fitimet reale e jo me tatim në qarkullim
-Alokimin e të gjitha mjeteve që i kanë në dispozicion për ndihmesë ndaj popullatës nga katastrofat natyrore, e te cilat sigurohen nga kompanitë e sigurimeve, tek një fond i veçantë, ku ne si Industri do ta merrnim rrezikun shumëfish më të madh për ta siguruar se sa vet mjetet në dispozicion. Nëse Ministria i ka në dispozicion 10 milionë euro në vit për këto çështje, nëse do të liheshin nën menaxhim të kompanive të sigurimeve ky fond do të shumëfishohej në mbulimin e dëmeve minimum deri ne 100 milionë euro.
-Ndarjen urgjente te fondit të shtetit për sigurimin e të gjitha aseteve të shtetit, në këtë formë taksapaguesve do t’u kushtonte shumë me pak në rast të dëmtimeve të ndryshme
-Urdhëresë obligative ndaj shpërndarësve të rrjetit elektrik për sigurimin e përgjegjësisë”, ka shtuar Blakaj.
19 vjet pas luftës Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm në Evropë pa liri të qarkullimit me automjete, njësoj si vendet e tjera. Ngasësit më të varfër të Evropës po vazhdojnë t’i paguajnë më së shtrenjti policat e sigurimit për qarkullim. Si dhe bashkëqytetarët nga diaspora, që me mall presin çdo ardhje në vendlindje, do të vazhdojnë t’i kalojnë të gjitha shtetet me Kartonin e Gjelbër, vetëm me të hyrë në Kosovë do të detyrohen të paguajnë. Të gjitha paratë e marra nga veturat që hyjnë në Kosovë, i marrin kompanitë e Sigurimeve.