Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën/Netanyahu: Nuk i pranojmë kërkesat për armëpushim në Gaza 

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se autoritetet izraelite nuk do t’i pranojnë kërkesat e Hamasit grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për një armëpushim në Rripin e Gazës. 

Netanyahu i bëri këto deklarata pasi grupi radikal palestinez nuk e pranoi propozimin e Izraelit për armëpushim. 

Marketing

Hamasi e hodhi poshtë propozimin më të fundit të Izraelit të hënën mbrëma, duke e akuzuar atë se i shpërfilli kërkesat kryesore të grupit, që përfshijnë përfundimin e luftës dhe largimin e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza. 

Netanyahu tha se Izraeli nuk do të dorëzohet para kërkesave “joreale” të Hamasit dhe do ta vazhdojë punën për t’i shkatërruar armatimin e tij ushtarak dhe aftësitë qeverisëse, si dhe për t’i liruar pengjet e mbetura në Gazë. 

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi një rezolutë për të kërkuar armëpushim të menjëhershëm mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. 

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, tha për Army Radio të martën se rezoluta e Këshillit të Sigurimit për armëpushim në Gazë dhe për lirim të pengjeve, e nxiti Hamasin ta refuzojë propozimin e Izraelit. 

Ai e kritikoi edhe SHBA-në, aleatin kryesor të Izraelit, pse nuk përdori veto kundër rezolutës, pasi në të nuk dënohej Hamasi dhe sulmi i tij më 7 tetor në Izrael. 

Rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 të tjerë u rrëmbyen më 7 tetor, kur pjesëtarët e Hamasit kryen një sulm befasues në jug të Izraelit, duke e nxitur këtë luftë. Besohet se Hamasi ende po i mban rreth 100 pengje izraelite. 

Më shumë se 32.000 njerëz janë vrarë në territorin e rrethuar palestinezë dhe mbi 74.000 te tjerë janë plagosur, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë, e cila nuk e bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve kur i numëron viktimat. Sipas saj, dy e treta e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. 

Marketing