Këto janë politikanët e Ballkanit Perëndimor në “listën e zezë” të SHBA

Departamenti i Thesarit ka shpallur “non grata” figura të tjera të politikës dhe drejtësisë së shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Marketing

Përveç ish-deputetit shqiptar Aqif Rakipi dhe biznesmenit Ylli Ndroqi, SHBA ka sanksionuar Sasho Mijalkov, ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut. “Mijalkov dyshohet se ka qenë i përfshirë në një skemë të manipulimit të votave dhe një operacion të gjerë përgjimi të paligjshëm që shënjestroi 20,000 njerëz, përfshirë politikanë të opozitës, gjyqtarë dhe gazetarë, që siguroi përfitime politike dhe ekonomike dhe që nxiti një krizë politike dyvjeçare në vend duke zbuluar ndërhyrjen e pretenduar të qeverisë në gjyqësor, kontrollin mbi disa media dhe ndërhyrjen në zgjedhje.

Në shkurt të vitit 2021, për shkak të rolit të tij si organizator kryesor i skemës së përgjimeve, ai u dënua nga një gjykatë në Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim kriminal, shpërdorim detyre dhe marrjen e shpërblimeve për ndikim të paligjshëm.

Më vonë, në prill 2021, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut e dënoi Mijalkovin për shpërdorim pushteti në lidhje me një marrëveshje prokurimi për pajisje survejimi”.

Në Mal të Zi, është sanksionuar Svetozar Marovic, i cili ka qenë President i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi nga viti 2003 deri në 2006 dhe shërbeu si ish-zëvendës president i Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi (DPS) deri në vitin 2015.

“Marovic u arrestua nga autoritetet malazeze në 2015 në bazë të dyshimeve për përfshirje në raste korrupsioni në shkallë të gjerë lidhur me projektet e ndërtimit në bashkinë e Budvës.

Prokurorët malazezë e akuzuan Marovicin se përdori ndikimin e tij si zyrtar i lartë në DPS për të miratuar një sërë blerje pronash dhe ujdish ndërtimi, të cilat sollën përfitime të mëdha për disa kompani, por shkaktuan humbje të konsiderueshme për qeverinë vendore.

Në vitin 2016, Marovic nënshkroi dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, duke pranuar të gjitha akuzat kundër tij për korrupsion.

Ai u dënua me disa vite burg dhe u urdhërua t’i kthente shtetit mbi 1 milion dollarë, por u arratis në Serbi përpara se të vuante dënimin”.

Në Bosnje-Hercegovinë, SHBA ka sanksionuar deputetin Asim Sarajlic dhe ish-kryeprokuroren e vendit, Gordana Tadiç.

Personat e shpallur “non grata”:

Asim Sarajlic, deputet në parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës

Gordana Tadiç, kryeprokurore e Prokurorisë së Shtetit të BiH

Svetozar Marovic, president i shtetit të përbashkët të Serbisë dhe Malit të Zi

Nikola Gruevski, ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut.

Sasho Mijalkov, ish-shefi i kundërzbulimit në Maqedoninë e Veriut

Aqif Rakipi, ish-deputet i PS në Shqipëri

Ylli Ndroqi, biznesmen në Shqipëri

Marketing