Klopp nuk e merr Shaqirin në Beograd për ndeshjen kundër Crvena Zvezdës

Xherdan Shaqiri nuk është i përfshirë në formacionin e Liverpool për ndeshjen e nesërme që do të zhvillohet në Beograd kundër Crvena Zvezdës.

Marketing

Trajneri i The Reds, Jurgen Klopp, ka thënë se ka marrë vendim që të mos e përfshijë Shaqirin për shkak se prania e tij në Serbi mund të shkaktojë tensione politike, shkruan Independent.

“Do të shkojmë në Beograd të fokusuar 100 % në futboll”, ka thënë Klopp.

“Është një situatë ku ne do të shkojmë në një qytet fantastik si Beogradi për të zhvilluar një ndeshje futbollistike”, është përgjigjur Klopp në pyetjen nëse qëndrimi i marrë është politik me vendimin për të mos e ftuar Shaqirin për këtë ndeshje të Champions League.

“Ne kemi dëgjuar dhe kemi lexuar spekulime se si mund të pritej Shaqa dhe se nuk kemi ide se carë mund të ndodhë, prandaj atje duam të jemi 100 % të fokusuar në futboll dhe s’po mendojmë për asgjë tjetër, kjo është e gjitha”, ka thënë gjermani.

“Ne jemi Liverpool, një klub i madh, një ekip që nuk kemi mesazhe përtej kaq. Nuk kemi mesazhe politike, absolutisht aspak. Duam të fokusohemi në këtë lojë të madhe, duke qenë të lirë nga gjithçka tjetër”.

“Shaqa nuk është i përfshirë, ai e pranon dhe e kupton këtë. Ai është lojtar yni, të cilin e duam dhe do të luajë për ne në shumë ndeshje të tjera, por jo të martën”.

Shkuarja e Shaqirit në Beograd është komentuar tash e sa, pasi qe ai që në kampionatin botëror në futboll në ndeshjen kundër Serbisë, golin e shënuar e kishte festuar duke bërë shqiponjën me duar, ashtu sikurse Granit Xhaka.

Marketing