Aleanca për ardhmërinë e Kosovës dhe partia Social Demokrate, do të shkojnë bashkë në zgjedhje, kurdo që ato të mbahen.
Ramush Haradinaj dhe Shpend Ahmetaj zyrtarizuan koalicionin parazgjedhor, pasi morën mbështetjen e organeve drejtuese të partive respektive, ndërkohë që janë autorizuar edhe për diskutime për zgjerimin e mundshëm të aleancës.
“Ka dominuar tema e koalicionit parazgjedhor me Partinë Social Demokrate të kryesuar nga Shpend Ahmeti. Ka pasur plot diskutime rreth kësaj, rreth koalicioneve potenciale në të ardhmen, por është votuar me shumicë të votave, me dy abstenime veç, marrëveshja për koalicion parazgjedhor me PSD-në”, shprehet Haradinaj.
Haradinaj ndërkohë nuk ka treguar nëse ka marrë apo jo ndonjë ftesë nga lidhja demokratike e Kosovës për bisedime, por në anën tjetër, Shpend Ahmeti, më herët të hënën, u ndal në selinë e Isa Mustafës. Ahmeti e vlerësoi takimin me Mustafën, si pozitiv por i pyetur nga gazetarët tha se nuk ishte marrë asnjë vendim pasi LDK është e interesuar të hyjë e vetme në zgjedhje.
Sidoqoftë, Ahmeti thotë se ka ende vend për bisedime dhe bashkëpunim. Sipas kreut të PSD, ekziston pajtimi mes forcave politike në Kosovë, që zgjedhjet e parakohshme, të mund të mbahen më 6 tetor.
Kosova është aktualisht me një kryeministër të dorëhequr dhe një qeveri në detyrë, pa një vendim të gjykatës kushtetuese për kompetencat e kabinetit aktual dhe në pritje të zhvillimeve që do të vendosin se çfarë rrjedhe do të marrin ngjarjet. E ndërkohë që pritet e enjtja, dita kur do të mblidhet kuvendi për të diskutuar shpërndarjen dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, partitë politike vazhdojnë bisedimet për krijimin e aleancave të reja dhe bëjnë përllogaritjet e tyre.