Kompanitë energjetike kërkojnë rritje të çmimit të energjisë

Një pjesë e kompanive energjetike në vend kërkojnë rritje të çmimit të energjisë elektrike për shkak se punojnë me humbje. Drejtori i Elektro Ekonomisë, Vasko Kovaçevski, thotë se duhet gjetur zgjidhje për të mbuluar humbjet, por duhet mbajtur llogari edhe për xhepin e qytetarëve.

Marketing

“Për momentin ne në qershor marrim pjesë në furnizimin e EVN HOME me 22 euro, çmim më të lirë se sa çmimi i bursës së HUPEKS, që është për muajt qershor, korrik dhe gusht. Por, do të bëjmë çmos në kuadër të mundësive tona dhe mundësitë e qeverisë që patjetër të gjejmë mënyrë t’i kompensojmë këto humbje, por me rëndësi është të mos ketë çmime shokuese për qytetarët.”,- drejtori i EEM-së, Vasko Kovaçevski.

Rritje të shërbimeve të saj ka kërkuar Kompania MEPSO, drejtori i së cilës Kushtrim Ramadani, thotë se pjesa që i takon kësaj kompanie nga fatura që paguajnë qytetarët është 3.5%. Ai thotë se paratë po investohen në rekonstruim dhe revitalizim të rrjetit, për çka po investohen rreth 100 milion euro.

“Pjesa e MEPSO-s në një fakturë të cilën e paguajnë konsumatorët e fundit është shumë e vogël 3,5%. Në një faturë 1000 denarëshe paguhen 35 denarë për MEPSO-n, që nuk do ta kisha konsideruar shumë tragjike, sepse, prapë po them, të gjitha këto të hyra nga faturat sa i përket transmetimit janë duke u investuar në vend të duhur, sepse kemi largpërçues të viteve 50-ta 60-ta dhe këto duhet të modernizohen.”,- tha drejtori i MEPSO-s, Kushtrim Ramadani.

Ramadani njëherit thekson se MEPSO për herë të parë viteve të fundit punon me humbje, e cila arrin në 5.82 milion euro, por sipas tij nuk bëhet fjalë për ke¬qmenaxhim, por kjo është shkaktuar nga të hyrat nga kapacitetet ndërkufitare që nuk varen nga MEPSO.

Kompanitë e energjisë tashmë kanë dorëzuar llogaritjet e kostove në Komisionin Rregullator, i cili duhet të vendosë se çfarë pranohet dhe çfarë jo.

Muajin e ardhshëm elektranat shtetërore duhet të ofrojnë një çmim të ri në tenderin e EVN HOUM, me të cilin do të shesin energjinë elektrike të prodhuar. Deri në fund të korrikut pritet të ketë korrigjim të çmimit të energjisë elektrike. Rritja e fundit ishte vitin e kaluar kur çmimi u rrit për 7.4 për qind me kërkesë të ndërmarrjeve shtetërore të energjisë.

Për dallim nga kompanitë energjetike të Sindikatave të Pavarura të Transportuesve MAKAMTRANS dhe Sindikatave të Pavarura të Punëtorëve të Ndërtimit dhe Tregtarëve në Ndërtimtari, para dy ditësh kërkuan nga qeveria uljen për 50 për qind të çmimit të energjisë elektrike dhe taksave komunale, me çka do të mundësohej rimëkëmbje e qytetarëve nga pandemia.