Mbi 12 miliardë denarë ose 196 milionë euro u injektuan në ekonomi në gjysmën e parë të vitit përmes kthimit të rregullt dhe jo selektiv të TVSH-së për kompanitë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kthimi i TVSH-së për kompanitë që nga qershori është rritur me rreth 20% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose me pothuajse 2 miliard denarë.
“Në krahasim me vitin 2017, kthimi i TVSH-së në gjysmën e parë të vitit është më i lartë për 3.2 miliardë denarë ose rreth 37 për qind. Krahasuar me vitin 2016, kthimi është më i lartë për 4.9 miliardë denarë ose 69 për qind”, deklaroi zv. ministrja për Financa, Shiret Elezi.
Elezi thotë se kthimi i rregullt dhe jo-selektiv i TVSH-së përmirëson likuiditetin e kompanive.
Zv. ministrja e Financave thekson se tendencat pozitive në ekonomi reflektohen edhe në mbledhjen e mirë të të ardhurave tatimore, duke përfshirë TVSH-në. Ajo shton se rritja e aktivitetit të kompanive tregohet nëpërmjet rritjes së lartë të investimeve bruto prej 9.9 përqind në tremujorin e parë për vitin 2019.