Koronavirusi, kontrolle mjekësore në pikën kufitare të Morinës, gati edhe dhoma e karantinës

Pas shtimit të kontrolleve nga policia kufitare, në pikëkalimin kufitar që lidh Kosovën dhe Shqipërinë në Morinë, dy ekipe mjekësh nga Kukësi po kujdestarojnë 24 orë.

Marketing

Këto kontrolle vijnë pas përhapjes së koronavirusit në Kinë dhe vende të tjera, veçanërisht në Itali. Por, mjekët thonë se nuk ka vend për panik.

Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri për dyfishimin e personelit mjekësor dhe kontrolleve në pikat kufitare, është vënë në praktikë edhe në pikën kufitare të Morinës. Dy ekipe mjekësh monitorojnë situatën 24 orë.

Epidemiologu pranë njësisë vendore të shëndetësisë në Kukës, Faton Zenelaj, ka thënë për “Radio Kosovën” se prej një muaji që janë në vëzhgim të udhëtarëve, të cilët hyjnë dhe dalin në Kufirin e Morin-Vërmicë, nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar.

“Siç e dini ne këtu ndodhemi prej një muaji. Kemi ngritur dy grupe të punës dhe po e bëjmë monitorimin e situatës 24 orë. Duke parë rastet, MSh-ja ka ngrit taskforcën dhe ka vendosur të dyfishojë personelin”, ka thënë ai.

Zenelaj ka thënë se situata është nën kontroll ani pse ka pasur hyrje të shtetasve kinezë nga zonat e prekura, por që gjatë muajve të fundit këta nuk kanë udhëtuar në Kinë dhe për këtë arsye kanë rezultuar të pastër nga koronavirusi.

“Hyjnë në kontroll të gjithë shtetasit nga harta që posedojmë, por nuk kemi pas ndonjë rast”, ka thënë epidemiologu.

Gjithashtu, ai ka thënë se në doganë ndodhet gati edhe dhoma e karantinës nëse do të ketë raste dyshuese.

“Kemi bashkëpunim me policinë, na kanë lëshuar një dhomë për karantinë. Kemi pajisjet, maskat dhe uniformat. Kemi pasur shtetas që vijnë nga Kina banorë rezidentë në Evropë por nuk ka pasur ndonjë rast të dyshuar”, është shprehur Zenelaj.

Marketing