Kosovarët e shohin Serbinë kërcënim për sigurinë në Ballkan, Shqipërinë më të fortën pas 10 vjetësh

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë ta shohin Serbinë si shtetin që mund të kërcënojë sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Në anketën e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, që është realizuar me 1200 qytetarë në gjithë vendin, është shtruar edhe pyetja se “Cili nga shtetet e rajoni është më kërcënuesi për sigurinë e Ballkanit Perëndimor?”.

Marketing

“Pyetja ka synuar të nxjerrë në pah mendimet e kosovarëve në lidhje me shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, në të cilën respondentët kanë mundur të selektojnë vetëm një shtet. Në përgjithësi, ndërmjet kosovarëve ka pajtim se Serbia është shteti më problematik i rajonit, ku 76.2% e respodentëve kanë shenjëzuar si shtetin më kërcënues për sigurinë kësaj pjese të Europës”, thuhet në raportin e përpiluar nga Butrint Berisha.

Kosovarët më së shumti duan që të intensifikohet partneriteti ekonomik, kur bëhet fjalë për vendet e rajonit.

“Prej tyre, 82.9% e respondetëve besojnë se nga vendet e rajonit Shqipëria duhet të jetë partneri kryesor ekonomik për Kosovën”, thuhet në raport.

Qytetarët në Kosovë e shohin po kështu Shqipërinë si shtetin më të fuqishëm të Ballkanit Perëndimor në dhjetëvjetëshin e ardhshëm.

“Pyetja vë në pah se si e parashohin kosovarët të ardhmen e rajonit, në bazë të fuqisë së shteteve. Termi “i fuqishëm” qëllimisht nuk është kufizuar në fuqi politike, ekonomike apo ushtarake meqë ideja ka qenë të integrohen të gjitha këto elemente brenda përgjigjes”, thuhet në raport.

Respondentët kanë mundur të selektojnë vetëm një përgjigje. E sa i përket rezultateve 34.6% e respondentëve e kanë zgjedhur Shqipërinë, 23.5% Kosovën, ndërsa 13.8% Serbinë si shteti më i fuqishëm i rajonit pas dhjetë vjetësh.

Marketing