Kryeministri Dimitar Kovaçevski së bashku me ministrin e Financave Fatmir Besimi, ministrin për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski dhe ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Ljupço Nikollovski janë në vizitë pune në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qëllimi i vizitës është komunikimi i drejtpërdrejtë me investitorët dhe takim me përfaqësues të fondeve investuese për përmirësimin e aktivitetit ekonomik të shtetit në kushtet e krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike botërore.
Në kuadër të vizitës, Kryeministri Kovaçevski së bashku me ministrat do të prezantojnë politikat tona makroekonomike, synimet zhvillimore në vendin tonë, si dhe mundësitë për investime. Për këtë do të zhvillojnë disa takime dypalëshe me përfaqësues të fondeve, të cilat janë vazhdimësi e bashkëpunimit tashmë të arritur, gjithçka me qëllim arritjen e rezultateve konkrete.
Do të diskutohet për mundësitë e përdorimit të fondeve të zhvillimit që në kushte të favorshme investojnë në projekte në fushën e infrastrukturës, agrobiznesit, turizmit dhe energjisë me fokus burimet e ripërtërishme të energjisë.
Qeveria, pavarësisht krizës botërore ekonomike dhe energjetike dhe zhvillimeve aktuale në Ukrainë dhe ndikimit të tyre në nivel global, mbetet e përkushtuar për arritjen e rritjes ekonomike me norma mbi 5% në vitet në vijim, bazuar në rritjen e investimeve dhe konsumit.