Kroacia furnizohet me vaksina anti Covid

Në Kroaci sot fillon shpërndarja e 25.200 dozave të vaksinave të kompanive Moderna dhe AstraZeneca, të cilat do të përdoren për të vaksinuar grupe të prekshme të popullatës. Dozat e para prej gjithsej 25.200 vaksinave të mbërritura në Republikën e Kroacisë sot do të dërgohen në rajonet e Dalmacisë dhe Slavonisë me qëllim vaksinimin e grupeve më të rrezikuara të popullsisë, transmeton Anadolu.

Marketing

Mirëpo, Partia Kroate e Pensionistëve (HSU) e konsideron vaksinën e AstraZeneca-s si joefektive, duke kërkuar që ajo të mos u jepet personave mbi 65 vjeç.

Nga kjo parti theksojnë se Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka miratuar përdorimin e vaksinës AstraZeneca me disa kufizime sa i përket efektivitetit të saj, veçanërisht për popullatën e moshuar, ndërsa disa qeveri evropiane kanë vendosur të mos e përdorin këtë vaksinë për të moshuarit.

Nga ana tjetër, Instituti Kroat i Shëndetit Publik thotë se nuk është racionale të refuzohet kjo vaksinë, e cila, siç thonë ata, zhvillon imunitet ndaj koronavirusit pas dozës së dytë me 82 për qind efikasitet.