Kryeparlamentari Gashi takim me ambasadorin e ri të BE-së Mihailis Rokas

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i uroi mirëseardhje ambasadorit të sapoemëruar evropian, Mihailis Rokas, në vend, duke shprehur besimin në kontributin e përbashkët në procesin e mëtutjeshëm për anëtarësim të plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Në takimin e sotëm në Kuvend, Kryetari Gashi dhe ambasadori Rokas shprehën pritjen që institucionet e BE-së, pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të mbajtura në qershor të këtij viti, të ruajnë notën pozitive sa i përket zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Bashkëbiseduesit iu referuan edhe nevojës për vazhdimin e reformave dhe përmbushjen e detyrave të brendshme, me qëllim të përmbushjes së kritereve për anëtarësim, veçanërisht në fushat kryesore.
Kryetari Gashi theksoi se Kuvendi është i përkushtuar fuqishëm në zbatimin e reformave, veçanërisht në pjesën e harmonizimit me legjislacionin evropian dhe forcimin e rolit mbikëqyrës. Ai shprehu gatishmërinë për të forcuar dhe futur dinamikë të re në bashkëpunimin dhe komunikimin midis Kuvendit të RMV-së dhe Parlamentit Evropian, më pas duke e theksuar rëndësinë e procesit “Zhan Mone”, nga i cili deri më tani kanë dalë dy dokumente të rëndësishme për pushtetin legjislativ në vend – Kodi Etik dhe Rregullorja e re.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe për nevojën e forcimit të dialogut politik në vend, duke pasur parasysh qëllimin e përbashkët të integrimit evropian, si përcaktim strategjik të vendit.
Ambasadori Rokas theksoi se qëllimi i tij është t’i ndihmojë vendit të bëjë hapa të dukshëm në këtë fazë të procesit të integrimit në BE.
Ai e theksoi edhe rëndësinë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se kjo është mundësia për t’i forcuar kapacitetet për anëtarësim në BE të vendeve të rajonit.

Marketing