KShZ gati për zgjedhje, kurdo që të shpallen

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve është absolutisht i gatshëm të organizojë dhe zhvillojë zgjedhje në çdo moment kur ato do të thirren, thotë në një intervistë për MIA-n, zëdhënësja e KShZ-së, Ljupka Guguçevska.

Marketing

“Patjetër që po. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ekziston si organ profesional, me shërbimin e vet profesional dhe punon në vazhdimësi. Puna jonë është veçanërisht intensive në mes të dy proceseve zgjedhore dhe ne gjithmonë përgatitemi që zgjedhjet t’i zhvillojmë me sukses, sa herë që ato shpallen.”, – deklaroi zëdhënësja e KShZ-së, Ljupka Guguçevska.

Ndryshimet në kodin zgjedhor, Guguçevska: Sfidë nëse ndodhin para zgjedhjeve

E pyetur nëse me legjislacionin aktual mund të bëhen zgjedhje të suksesshme, ajo përgjigjet se me kodin aktual zgjedhor, janë mbajtur procese të suksesshme zgjedhore. Në pyetjen nëse KShZ do të përballej me probleme, nëse Kodi Zgjedhor ndryshohet para zgjedhjeve, Guguçevska përkujton rekomandimin e Komisionit të Venecias, që së paku gjashtë muaj para organizimit të zgjedhjeve, nuk duhet të ketë ndryshime në legjislacionin zgjedhor.

“Ndryshimet që ndodhin në një periudhë më të shkurtër kohore, para zgjedhjeve apo gjatë procesit zgjedhor, siç kemi pasur në vitin 2021, sjellin me vete sfida të caktuara në organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve, sepse disa gjëra po ndodhin për herë të parë. Kemi më pak kohë për t’u përgatitur, edhe ne, por edhe të gjithë palët e tjera të prekura nga ndryshimet, sepse KShZ-ja organizon dhe zhvillon zgjedhjet, por të gjithë të tjerët duhet të informohen për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor.”, – theksoi zëdhënësja e KShZ-së, Ljupka Guguçevska.

Guguçevska thekson se votuesit edhe tani mund të kontrollohen në listën zgjedhore dhe nëse të dhënat e tyre janë të gabuara apo jo, ata të kontaktojnë drejtoritë apo zyrat e tyre rajonale.