Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka hedhur shortin për radhitjen në fletëvotime të kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme lokale në Komunën e Dibrës, Ohrit dhe Novo Sellës.
Sipas shortit, numrin 1 do ta mbajë Bashkimi Demokratik për Integrim, numrin 2 Aleanca për Shqiptarët, numrin tre “Demokratët”, numrin 4 partia GDU, numrin 5 VMRO-DPMNE, numrin 6 Lëvizja BESA dhe numrin 7 LSDM. Numrat do të jenë të njëjtë në të tre komunat, ndërsa në ato komuna ku parti të caktuara nuk do të kenë kandidat do të kalohet në numrin pasardhës të partisë që garon pa lënë vend të zbrazës.
Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhore, Oliver Derkoski edhe një herë ju bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje që të respektojnë ndalesën për fushatë të parakohshme deri më 1 prill kur zyrtarisht fillon fushata edhe për zgjedhjet lokale edhe për ato presidenciale.
“Të përmbahen nga fgushata e parakohshme, deri më 1 prill nuk është larg, mund të përmbaheni, ka aktivitete të tjera të cilat mund t’i realizoni ndër kohë. Kjo e qëllim jo vetëm që most ë na hapni punë neve dhe komisioneve tjera që ndjekin procesin, por edhe të vendosim traditë të parimeve demokratike të funksionimit gjatë periudhës së procesit zgjedhor dhe të realizojmë zgjedhje siç i duhen shtetit tonë”, deklaroi Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.
Përfaqësuesit e dy partive më të mëdha në vend, LSDM dhe VMRO-DPMNE të cilët morën pjesë në tërheqjen e shortit u shprehën optimist dhe u zotuan që fushata të jetë demokratike dhe si të tilla të përfundojnë edhe vetë zgjedhjet.
“Si për zgjedhjet presidenciale, ashtu edhe për zgjedhjet lokale, presim fushatë fer dhe demokratike edhe nga oponentët tanë. Në emër tonë ne mund të sigurojmë që fushata jonë do të jetë në frymën e demokracisë dhe vlerave evropiane. Koha është ti dëshmojmë edhe në vepër të gjitha ato simbole që e karakterizojnë një shtet demokratik siç është Republika e Maqedonisë së veriut”, deklaroi Darko Kaeski, LSDM.
“Pres zgjedhje evropiane, pres në kushte demokratike të respektohen të gjitha normat nga ana e të gjitha partive politike dhe nga ana e të gjithë kandidatëve që nuk garojnë përmes partive politike”, theksoi Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.
Fushata parazgjedhore fillon më 1 prill dhe do të zgjas deri më 20 prill kur është edhe heshtja 24-orëshe parazgjedhore.
Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 21 prill, ndërsa në të njëjtën ditë në Dibër, Ohër dhe Novo Sellë do të votohet edhe për kryetarë komune. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për president dhe në ato komuna nuk do të zgjidhet kryetari në rrethin e parë, do të zhvillohet më 5 maj.