Prej dy ditësh autoritetet janë vënë në kërkim të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski për t’i dorëzuar vendimin refuzues për shtyrjen e vuajtjes së dënimit prej dy vjet burg. Gruevski duhet personalisht ta pranojë vendimin dhe menjëherë të shkojë në burg për vuajtjen e dënimit për shpërdorim të detyrës në rastin e blerjes së makinës luksoze qeveritare në vlerë prej 600 mijë euro.
Sipas ligjeve ekzistuese, nëse edhe sot (e hënë) nuk arrihet t’i dorëzohet vendimi, atëherë do të shpallet fletarrest për dërgimin e tij në burg. Në disa media po spekulohet mbi mundësinë e largimit të tij nga Maqedonia, por kjo nuk është konfirmuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Para se t’i refuzohet kërkesa për shtyrjen e vuajtjes së dënimit, Kuvendi i Maqedonisë nuk arriti të siguronte dy të tretat e votave për t’i hequr mandatin e deputetit. Për heqjen e mandatit kishin votuar 58 deputetë, kurse kundër 29 deputetë. Nisma ishte paraqitur në Komisionin për Çështje të Mandateve, pas informimit se Kuvendi ishte njoftuar gjykata për dënimin e ish-kryeministrit Gruevski me dy vjet burgim.
Shumica parlamentare kishte kërkuar marrjen e mandatit me arsyetimin se “Nikolla Gruevski nuk është i denjë të ushtrojë detyrën e deputetit”.
Ndërkohë, ndaj Gruevskit po zhvillohet edhe disa procese tjera gjyqësore. Ai po gjykohet për shpërdorime të tjera të detyrës zyrtare, për mashtrime zgjedhore, dhunë të porositur ndaj ish-drejtuesve të opozitës në një komunë të Shkupit, e keqpërdorime tjera financiare. Ai sot duhet të paraqitet në vazhdimin e gjykimit për lëndën “Titanik” që ka të bëjë me keqpërdorimet e dyshuara në zgjedhjeve lokale të vitit 2013. Jozyrtarisht bëhet e ditur se në rast se paraqitet në gjykatë, ai edhe mund të dërgohet në vuajten e dënimit.