Kumanovë, 30 vjet nga demonstratat për arsimin shqip

Në organizim të Shoqërisë “Lëvizja”, Shoqatës së të burgosurve dhe përndjekurve politikë dhe Shoqatës së Historianëve, në Kumanovë është përkujtuar 30 vjetori i demonstratave të fuqishme në mbrojtje të arsimit shqip. Demonstratat në shenjë revolte për mbylljen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, nxorën të madh e të vogël para ish komitetit komunal në Kumanovë në 29 gushtin e vitit 1988.

Marketing

Për pjesëmarrje në demonstratat e para, 30 vitesh pushteti i atëhershëm komunist jugosllav pati dënuar mbi 5000 kumanovarë, madje edhe deri në 15 vjet heqje lirie, pasi që kërkonin mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe si dhe kthimin e profesorëve në vendet e tyre të punës. Në shënimin e sotëm të 30 vjetorit të demonstratave të Kumanovës u shfaq edhe një dokumentar filmik, kurse ish të burgosurve iu ndanë mirënjohje.

“Jemi mbledhur sot për të kujtuar demonstratat e shqiptarëve të Kumanovës më 29 gusht të vitit 1988, datë e rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë, demonstrata ku morën pjesë mbi 5000 shqiptarë të moshave të ndryshme, duke kërkuar mbrojtjen e arsimit në gjuhën shqipe”,- deklaroi kryetari i Shoqërisë “Lëvizja” – Maqedoni, Hulusi Beqiri.

“Menjëherë pas kësaj demonstrate, pasuan burgosjen, maltretimet, pa kursyer pleq e fëmijë e as gra. Filluan të largonin nga puna shtetërore të gjithë ata që ishin pjesëmarrës në demonstratë. Epilogu i kësaj u bë i njohur, u burgosën mëse 300 shqiptarë, 1500 të tjerë u thirrën në bisedë informative”,- theksoi Minir Ademi nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë.

“Shtypja e popullit shqiptar në shekuj e detyroi atë të ndërtojë mekanizmin e vet më të fortë, rezistencën për liri”,- u shpreh Shpëtim Polozhani nga Shoqata e të burgosurve dhe përndjekurve politikë.

“Respekt të veçantë për organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj demonstrate, të cilët aso kohe ishin djem të rinj, rini, bijë dhe bijat e juaja pa frikë përballeshin me policin pushtues të kohës”,-theksoi kryetari i Shoqërisë “Lëvizja” – Kosovë, Xhevat Bislimi.