Vetëm dy raste të reja me COVID-19 janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në Kumanovë, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 342.
Numri i viktimave mbetet i njëjtë, 14, kurse gjithsej 4 janë të shëruar.
Lidhur me aktivitet në Qendrën për Shëndet Publik në Kumanovë, drejtori i kësaj qendre, Arif Latifi për TVM2 tha se po bëhet përpjekje maksimale që në aktivitetet e testimit të përfshihen sa më tepër qytetarë.
“Situata ditëve të fundit është më e qetë, kemi vetëm dy raste pozitive me COVID-19, besojmë se tendenca do të shkojë me një ulje të lehtë të rasteve pozitive, deri në këto momente kemi bërë 5 strisho, mirëpo ekipet janë në teren dhe besoj se do të rritet numri deri në fund të ditës.”,- tha drejtori i QSHP – Kumanovë, Arif Latifi.
Rënia drastike e numrit të të prekurve nga COVID-19 ditëve të fundit në rajonin e Kumanovës, Arifi thotë se është si rezultat i masave dhe rekomandimeve nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, por edhe i vetëdijesimit të qytetarëve për respektimin e masave.
“Janë disa faktorë, një ndër to është edhe vetëdijesimi i popullatës, pastaj faktor kyç janë masat e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, siç janë distancimi social, bartja e maskave dhe dorezave, këto masa ndihmojnë në zvogëlimin e përhapjes së infeksionit me virusin Korona nga njëra anë dhe nga ana tjetër e mban në kontroll numrin e të infektuarve në njësinë e kohës.”,- shtoi për TVM2, Arif Latifi.
Ndryshe, nga e mërkura në Kumanovë ka hyrë në fuqi masa qeveritare për mbajtjen e domosdoshme të maskave për të gjithë qytetarët që dalin jashtë shtëpie për të kryer obligimet e përditshme.
Për këtë arsye Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim në Kumanovë në disa punkte para bankave gjatë ditës ka shpërndarë maska falas për qytetarë.
Shtabi gjithashtu ka ndarë 100 pako me maska dhe pajisje tjetra mbrojtëse si dhe dezinfektues edhe për ambulancat private.
Ndërkaq në bashkëpunim me Kryqin e Kuq komunal, kurse edhe me asistimin e pjesëtarëve të ARM-së, ka ndarë pako me artikuj ushqimorë dhe higjienikë.