Kurti: Ekonomia po rritet, ATK po forcohet
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka theksuar se gjatë vitit të fundit janë regjistruar rreth 5 mijë e 700 biznese më shumë dhe mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar. Ai ka veçuar edhe rritjen prej rreth 14 për qind të të hyrave tatimore dhe 35 për qind të aktiviteteve operative, duke i cilësuar këto si tregues të rritjes së aktivitetit ekonomik.
Kurti në Facebook ka shkruar se këto rezultate nuk janë të rastësishme, por rezultat i punës së ATK-së dhe reformave ligjore të ndërmarra nga Ministria e Financave. Ai ka vlerësuar rëndësinë e digjitalizimit, duke përmendur certifikimin e nëntë kompanive softuerike për procesin e fiskalizimit. Sipas tij, punësimi i inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve po rrit kapacitetet e ATK-së.
Kurti ka theksuar se një ekonomi e shëndoshë kërkon një administratë tatimore të fortë, të mbështetur në profesionalizëm, teknologji moderne dhe besim me qytetarët e bizneset.
Postimi i plotë:
Rreth 5 mijë e 700 biznese më shumë dhe mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar, krahasuar me vitin e kaluar. Sikurse edhe rritje e të hyrave tatimore për rreth 14% dhe e aktiviteteve operative për 35%. Këto janë disa nga treguesit se kemi më shumë aktivitet ekonomik, më shumë vende pune dhe bazë më të gjerë për zhvillimin e vendit.
Këto rezultate që Administrata Tatimore e Kosovës po i arrin nuk janë rastësi. Krahas punës dhe përkushtimit të stafit dhe menaxhmentit, rol të rëndësishëm kanë pasur edhe ndryshimet dhe reformat ligjore të ndërmarra nga Ministria e Financave, të cilat kanë krijuar bazën e nevojshme për një administratë tatimore më moderne, më efikase dhe më të drejtë.
Digjitalizimi është një tjetër drejtim ku duhet të vazhdojmë të ecim. Certifikimi i nëntë kompanive softuerike në procesin e fiskalizimit krijon më shumë konkurrencë dhe më shumë mundësi për shërbime më të mira dhe më të përballueshme për bizneset. Punësimi i inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve tregon se po ndërtojmë kapacitetet që i nevojiten ATK-së për të ardhmen.
Një ekonomi e shëndoshë ka nevojë për një Administratë Tatimore të fortë. Dhe një Administratë Tatimore e fortë ndërtohet me njerëz profesionalë, teknologji moderne dhe besim të ndërsjellë me qytetarët dhe bizneset.
Burimi: botasot.info /
Aktuale.mk
