​Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Në ditën e dytë të qëndrimit në kryeqytetin e Gjermanisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdoi takimet me përfaqësues politikë dhe deputetë të Bundestagut nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP).

Marketing

Takimet i filloi me Rolf Mützenich, deputetin dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar të SPD-së, të cilin kryeministri e falënderoi për ftesën që të merr pjesë në ngjarjen e organizuar mbrëmë nga SPD në shënim të 75-vjetorit të Këshillit të Evropës.

Ndërkaq në një drekë pune takoi deputetët Michael Roth (SPD), Andreas Schwarz (SPD), Knut Abraham, (CDU), Michael Brand (CDU), Jürgen Hardt (CDU), Volkmar Klein (CDU), Volker Ulrich (CDU), Philip Krämer (Grüne), Max Lucks (Grüne), Boris Mijatovic (Grüne), Ulrich Lechte (FDP) dhe Thomas Hacker (FDP).

Tema kryesore e bashkëbisedimeve ishte aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe rruga drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë.

Kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën për anëtarësim në votimin final më 16 maj dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë.

Ndryshe, shumica e deputetëve kanë mbështetur më 16 prill anëtarësimin e Kosovës në debatin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës lidhur me raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Serbia kishte propozuar disa ndryshime në tekstin për rekomandimin që Kosova të pranohet në këtë organizatë. Përmes tyre, kërkohej që Kosova të mos pranohet në Këshillin e Evropës derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të mos vendosë për statusin e Kosovës.

Serbia po ashtu kërkoi që në vazhdim të procesit, Kosovës t’i vihet si kusht themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe. Delegacioni serb po ashtu ka kërkuar që nga teksti të hiqen të gjitha pikat në të cilat vlerësohet përparimi i Kosovës në respektimin e të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe në vend të kësaj, Kosova të kritikohet për shkelje të të drejtave. Të gjitha amendamentet e Serbisë janë hedhur poshtë.

Marketing