Kurti letër Thaçit: Mos përdorni standard të dyfishtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër presidentit Hashim Thaçi, përmes së cilës ka theksuar se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen pas kalimit të pandemisë së koronavirusit.

Marketing

Në letrën e Kurtit thuhet se presidenti Thaçi dhe subjektet politike në vend, janë duke tentuar që të imponojnë rrugë jokushtetuese, pas mocionit të mosbesimit për qeverinë.

“Ju e deklaroni haptas qëllimin për të anashkaluar detyrën tuaj kushtetuese që të shpërndani Kuvendin dhe të shpallni zgjedhje të reja, pas përfundimit të betejës kundër COVID-19”, thuhet në letrën e Kurtit.

Kurti thotë se pas mocionit të mosbesimit, presidenti ka për obligim që të respektojë Kushtetutën duke shpërndarë Kuvendin në përputhje me nenin 82.2 të Kushtetutës së Kosovës.

“Më lejoni të ju rikujtoj se pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, përmes të cilit është shkarkuar Qeveria e Republikës së Kosovës, presidentit nuk i krijohet hapësirë që të luaj rolin e një akteri politik duke tentuar të imponojë vullnetin e tij në jetën politike”, thuhet në letrën e kryemnisrtrit në detyrë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar dy letra liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, përmes të cilave kërkon që partia e tij, të propozojë kandidatin/en për formimin e qeverisë së re.

Ndërkohë gjatë ditës së hënë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi në media se do të kërkojë miratimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për një koalicion të mundshëm më AAK-në, Nismën për Kosovën si dhe subjektet politike të pakicave.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit, më 25 mars, nga ana e shumicës së deputetëve të Kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.

Mocioni i mosbesimit ndaj të Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.