Kurti: Për ndryshim qëndrimesh duhet t’i kthehemi popullit, Thaçi dhe Vuçiq kanë marrëveshje të fshehtë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit që po mbahet pas paralajmërimeve të SHBA-ve për sanksione ndaj Kosovës si rrjedhojë e mos-heqjes së taksës nga qeveria e tij.

Marketing

Ai para deputetëve ka thënë se mbajtja e tarifës pa reciprocitet është pozicion ekstrem, por edhe heqja e plotë e tarifës pa reciprocitet është pozicion ekstrem.

“Mbajtja e tarifës 100 për qind siç është e pa reciprocitet është pozicion ekstrem, pra të thuash tarifë 100 për qind dhe nuk çajë kokën për reciprocitetin është ekstrem, edhe heqja e plotë e tarifës 100 për qind, pa vendosur e pa përmendur reciprocitetin është pozicion ekstrem, ne duhet të jemi kundër ekstreme, s’duhet të jemi ekstremistë. Unë jam i bindur se duhet të ketë qëndrim normal dhe ky është që të hiqet tarifa dhe të vendoset reciprociteti dhe jam i bindur se ka qëndrim sublim normal që do të thotë heqja graduale e tarifës dhe vendosja graduale e reciprocitetit.”, tha Kurti para deputetëve.

Sipas tij, është e domosdoshme të iket nga pozicionet ekstreme.

Kurti ka thënë se ka marrë votën e qytetarëve me qëndrimin e tij për reciprocitetin, ndërsa për të ndryshuar qëndrimet ai ka përmendur se duhet t’i kthehet popullit nëpërmjet referendumit.

Kryeministri Kurti tha se midis dy presidentëve, të Kosovës dhe Serbisë ka marrëveshje të fshehtë dhe se ky po mundohet ta ndalë këtë marrëveshje të fshehtë.

“Pra, është e domosdoshme që të ikim prej pozicioneve ekstreme. Në fushatë kemi garuar për reciprocitetin dhe kemi marrë votat e qytetarëve është e domosdoshme që për ndryshim qëndrimesh të kthehemi tek qytetari. Është legjitime që në këso situata të ketë referendum. E vetmja mundësi për ndryshim qëndrimesh është të kërkohet referendum për këtë çështje, pra kthim tek populli sepse popullit ia kemi marrë votën për këtë gjë. Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e kthim të dialogut, bëhet fjalë për heqje të tarifës e mbyllje të marrëveshjes me një marrëveshje të gatshme. Midis dy presidentëve ka marrëveshje të gatshme dhe qëllimi është të thyhet qeveria, të thyhem unë si kryeministër që ai që ka bërë marrëveshje të fshehtë, ta servojë, jo për të filluar dialog por për ta mbyllur çdo mundësi për dialog. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi, ky është elefanti në dhomë.”, tha Kurti para deputetëve.

Kurti tha se po tentohet të thyhet qeveria e tij dhe Kurti si kryeministër.

“Nga qëndrimi për 2 vjet e gjysmë në sofrën e shkëmbimit të territoreve. Me fjalë të tjera, Vuçiq po thotë edhe faktorëve ndërkombëtarë edhe të Kosovës, përcaktojini cilin, Kurtin në Bruksel, apo Thaçin në Uashington dhe për të ndodhur kjo e dyta unë duhet të thyhem si kryeministër. Unë them jo, është gabim pozicioni ekstremist. As heqje tarife pa reciprocitet dhe as insistim në tarifë duke mos u angazhuar për reciprocitet. Më tej, është evidente që mua nuk më pëlqen çka po ndodh, por ajo që mund të ndodh kur të hiqet tarifa pa reciprocitet mund të jetë gabim i pafalshëm historik.”, tha Kurti më tutje.