Kurti pret 5 ndërkombëtarët, zhgënjehet Lajçak: Kemi pritur mirëkuptim më të madh

Duket se diskutimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me ndërkombëtarët nuk kanë dhënë rezultatin që pritej.

Marketing

“Qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Kurti ishte që të diskutohej propozimi për normalizim që ia kemi paraqitur në shtator, e më pas në dhjetor. Ne kaluam më shumë se dy orë në takimin me Kryeministrin, gjë që tashmë ju tregon se takimi ishte i gjatë, nuk ishte i lehtë, por ishte shumë i sinqertë, shumë i hapur”, tha i dërguari i BE, Lajçak.

Por diskutimet e gjata nuk dolën sipas pritshmërive të ndërkombëtarëve. Përfaqësuesi special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u shpreh i zhgënjyer pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin bisedoi në prani të emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, të dërguarit të Francës, Emmanuel Bonne, të Gjermanisë, Jens Plotner, dhe këshilltarit të kryeministres italiane, Francesco Talo.

“Është shumë herët për të bërë ndonjë deklaratë dramatike sepse siç e dini, ne jemi në mes të misionit tonë dhe do të vazhdojmë tani për në Beograd, pra, nuk mund të them shumë. Megjithatë dua të them se në këtë pikë ne kemi pritur një kuptim më të mirë të mundësive që ofron ky propozim, shpresoj se do të arrijmë aty, në kuptimin e plotë dhe përdorimin e plotë të potencialit të këtij propozimi”, shtoi Lajçak.

Lajçak ndër të tjera tha se BE dhe SHBA janë të angazhuara për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Një synim tjetër i zyrtarëve ndërkombëtarë është që të bindin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për një takim brenda janarit për të nisur diskutimet për propozimin europian.