Kush është Ali El Jajaoui, specialisti që gërmoi për orë të tëra me duar për të nxjerrë vogëlushin nga pusi

Kur dëgjoi për Rayan-in, fëmijën që ra në një pus 30 metra të thellë ndërsa luante në rrethinat e Tamrout, nuk hezitoi dhe u nis menjëherë nga fshati i tij për të vënë në dispozicion njohuritë e tij në hapjen e puseve.

Marketing

Ali El Jajaoui shkoi te shpëtimtarët për të ndihmuar, ai është specialist shpimi dhe vjen nga Erfoud, në Marokun jugor. Fatkeqësisht, ndihma e tij nuk ishte e mjaftueshme për të shpëtuar vogëlushin. Ishte ideja e tij për tunelin lidhës mes kraterit dhe pikës ku Rayan kishte rënë.

Kur buldozerët u larguan, Aliu me tre burra të tjerë gërmuan me dorë. Ishte një punë që zgjati orë të tëra, sepse ai u fut në krater të premten dhe doli prej atje të shtunën mbrëma pas përfundimit të operacionit.

Por ishte gjithashtu një përpjekje delikate shpëtimi, sepse shkëmbi, pengesa e fundit midis kazmave dhe pesëvjeçarit, mund të shembej dhe të binte mbi ekipet e shpëtimit.

Ali El Jajaoui, i duartrokitur nga turma sa herë që shikonte jashtë për të pirë apo për të pushuar, u bë i njohur në të gjithë vendin deri në fundin e hidhur të një historie që i mbajti njerëzit kudo në botë me sytë nga Maroku.